Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, deklaroi se vendi i tij “dëshiron të ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar” në përpjekjet e saj për të luftuar emigracionin e paligjshëm, në këmbim të mbështetjes më të madhe për forcimin e sigurisë kombëtare kundrejt kërcënimeve nga Serbia dhe Rusia. Duke folur para një samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Starmer në Londër të mërkurën, Kurti tha se janë duke u zhvilluar bisedime ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. 

Kjo e bën Kosovën vendin e parë që konfirmon interesin për planin e Starmer për të krijuar disa qendra kthimi, ku do të dërgohen azilkërkuesit e refuzuar pasi t’i kenë shteruar të gjitha rrugët e apelimit në MB. Megjithëse tema e qendrave të kthimit nuk është në agjendën zyrtare të samitit, Starmer shpreson të bëjë përparim në bisedime me disa nga vendet pjesëmarrëse.

Milojko Spajiq, kryeministër i Malit të Zi, tha se vendi i tij do të ishte i hapur për të negociuar një marrëveshje për qendër kthimi, por vetëm nëse Britania investon ndjeshëm në infrastrukturën e saj. 

Ndërkohë, Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës — një organ me tre anëtarë që shërben si kryetar shteti — deklaroi se nuk ka “asnjë qëllim dhe asnjë gatishmëri për të hyrë në ndonjë marrëveshje që përfshin pranimin e azilkërkuesve të refuzuar” nga Mbretëria e Bashkuar.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, përsëriti kundërshtimin e tij ndaj përpjekjeve të Britanisë për të krijuar qendra kthimi, duke thënë: “Kur vjen puna te këto qendra, ose si do që të quhen, e kam thënë dhe e përsëris: kurrë në Shqipëri.” 

Gazeta The Times kishte raportuar më parë se Britania i ishte drejtuar Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe disa vendeve jashtë Evropës, për mundësinë e hapjes së qendrave të kthimit. Maqedonia e Veriut nuk iu përgjigj kërkesës për intervistë nga The Times.

Por Kurti tha se qeveria e Kosovës kishte ofruar të pranojë migrantë nga Britania, sepse ka një “detyrim” për ta kthyer mirënjohjen për rolin udhëheqës të Britanisë në forcat paqeruajtëse që mbrojtën Kosovën nga regjimi i Slobodan Milosheviçit në vitet 1990. I pyetur nëse Kosova ishte e gatshme të pranonte migrantë nga Britania, Kurti tha:

Dëshirojmë të ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar. E konsiderojmë si detyrim tonin miqësor dhe politik. Kemi kapacitete të kufizuara, por megjithatë duam të ndihmojmë dhe aktualisht po zhvillohen komunikime të rregullta midis ekipeve tona zyrtare nga ministria e punëve të brendshme dhe juristëve, për të realizuar këtë në mënyrë të qetë dhe në dobi të ndërsjellë.

Ai tha se Kosova do të kërkonte mbështetje shtesë nga Britania në pajisje të sigurisë dhe ndarje informacioni inteligjent për të përballuar kërcënimet që i vijnë nga Serbia dhe Rusia. Ka pasur raportime për shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë serbë, që e kanë shtyrë Kosovën të blejë mijëra dronë ushtarakë nga Turqia, duke rrezikuar përshkallëzim të tensioneve mes dy vendeve.

Kurti tha:

“Do të dëshironim kryesisht të merrnim mbështetje në fushën e sigurisë — qoftë përmes marrëveshjeve strategjike, apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund të realizojmë. Ekipet tona po punojnë në këtë drejtim, dhe besoj se do të ketë rezultat të suksesshëm. Sigurisht, dëshirojmë si shtet të përfitojmë, por e shohim mbi të gjitha si detyrim për të ndihmuar, sepse ju na keni ndihmuar shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë atë.”

Spajiq, duke folur në një panel së bashku me Ramën në Chatham House në Londër, tha se Mali i Zi nuk është në bisedime me Mbretërinë e Bashkuar për krijimin e një qendre kthimi, pasi vendi i tij është në një situatë ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, duke mos qenë “pjesë e rrugëve migratore nëpër Ballkan”.

Kur Rama e pyeti nëse do të ishte i hapur për këtë ide në rast se Britania investon në infrastrukturën e transportit të Malit të Zi, Spajiq u përgjigj:

“Po, me siguri do ta pranoja nëse ata do të investonin 10 miliardë euro për të ndërtuar hekurudha.”

Rama zbuloi gjithashtu se planifikon të presë Nigel Farage në Shqipëri më vonë këtë vit ose në fillim të vitit tjetër, pasi të dy janë përfshirë në një debat lidhur me numrin e kriminelëve shqiptarë në burgjet britanike. Ai kundërshtoi pretendimin e Farage se një në 50 shqiptarë në MB janë në burg dhe premtoi se do të “angazhohej personalisht për t’i marrë të gjithë mbrapsht” nëse ky numër do të ishte i saktë. Lideri i Reform UK, Farage, kishte propozuar ta vizitonte Shqipërinë më 28 nëntor, por Rama tha se kjo datë nuk është e përshtatshme, pasi përkon me Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri i zëshëm shqiptar, lider i Partisë Socialiste, tha se emigracioni është kthyer në një nga temat kryesore në Britani, sepse njerëzit po fajësojnë emigrantët për “katastrofën” e Brexit. I pyetur nëse ndihej i zhgënjyer nga vendimi i Britanisë për të dalë nga BE, në një kohë kur Shqipëria po përpiqet të anëtarësohet, Rama tha: 
“Problemi nuk janë shqiptarët, të huajt, emigrantët. Problemi është si të gjenden fajtorët për këtë vendim katastrofik për të dalë nga Evropa. Është një katastrofë. Prandaj nuk ndjehem i zhgënjyer. Më vjen keq, shumë keq.”

Rama tha se do të ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Farage nëse ai zgjidhet kryeministër:

“Nuk shoh ndonjë problem kur bëhet fjalë për bashkëpunim me këdo. Nuk besoj se Farage është problemi. Ai është pasqyra e një problemi, që ka një kapacitet teatral për të tërhequr vëmendjen, por problemet janë diku tjetër.”

Zeljko Komshiç, kryetar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, tha se ndonëse vendi i tij nuk është i gatshëm të pranojë migrantë nga MB, është i gatshëm të ndihmojë në mënyra të tjera.

Ai tha:

“Një propozim i tillë është i papërputhshëm me interesat tona kombëtare, kornizën ligjore dhe objektivat tona të politikës migratore. Bosnje dhe Hercegovina po punon për të trajtuar emigracionin e paligjshëm në rrënjë, gjë që kërkon një qasje gjithëpërfshirëse nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë vendore. Ne tashmë zbatojmë një sërë masash, që nga mbrojtja e kufijve deri te marrëveshjet e riatdhesimit me vendet e origjinës.”

The Times