… Shijaku, ky qytet i vogël por me histori të madhe (mjafton të kujtojmë thënien-lapidar të kreshnikut të maleve Bajram Curri: “Shijaku me të drejtë mund të quhet “Malësia e Madhe e Shqypnisë së Mesme”), njihet qysh në lashtësi. I ndodhur në pastokën e Durrësit, vetëm 11 kilometra larg kësaj qendre të famshme në të gjithë Mesdheun, ai përmendet edhe në regjistrin kadastral turk të vitit 1431-32. Qyteti është ndërtuar mbi një kodrinë të butë me lartësi 30 metra mbi nivelin e detit, ku dikur ka ekzistuar kisha e Shën Jakovit, prej nga e ka burimin vetë emërtimi Shijak, i këtij vendbanimi, të cilin e mban edhe sot. Lumi Erzen, 91 kilometra i gjatë, e ndan qytetin në dy pjesë, duke i dhënë një bukuri të veçantë. Jo më kot Shijaku i tërhoqi vëmendjen mjeshtrit të madh europian të fotografisë, Marubit, i cili, në vitet 30 të shekullit të kaluar, atë do ta quante: “… qytet provincial perëndimor”. Kartolinat e bukura me pamje të qytetit për dekada me rradhë do të qarkullonin si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

     Fiset më të vjetra të Shijakut janë Kërtajt, Deliallisët dhe Keçtë. Pas Kongresit të Berlinit me dhjetra familje boshnjake, për t’i shpëtuar sundimit të ri austro-hungarez, u larguan nga vendlindja dhe u vendosën afër qytetit, duke krijuar fshatrat e përmendura Koxhas dhe Borake. Këtu ata gjetën mikpritjen e vërtetë dhe u bënë banorë të denjë të kësaj treve.Me ferman të veçantë, në vitin 1880, Shijaku u shpall kaza (nënprefekturë), duke pasur në varësi rreth 64 fshatra, ku përfshiheshin Ndroqi, Peza e Vogël, Sauqeti, Rromanati, vetë Shijaku, Sukthi, Maminasi, Marikaj, Ishmi dhe Preza.

      E tërë kjo trevë historikisht është e përmendur për atdhetarizëm, trimëri e bujari. Populli i saj ka dhënë kontributin e vet në të gjitha ngjarjet madhore të vendit. Me dhjetra banorë të kësaj treve janë rreshtuar në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa mjaft të tjerë kanë marrë pjesë në luftimet për mbrojtjen e Ulqinit, në vitin 1880. Çetat atdhetare të komanduara nga patriotët Ibrahim Kërtusha, Mark Troplini, Osman Picari etj., mbajtën gjallë frymën patriotike dhe u bënë tmerr për pushtuesit turq gjer në Shpalljen e Pavarësisë.

     Në mesin e Nëntorit 1912 populli i Shijakut zgjodhi përfaqësuesit e vet për në Kuvendin e madh të Shpalljes së Pavarësisë. Ata ishin patriotët: Ymer Deliallisi, Ali Shahini dhe Xhemal Deliallisi. Me dhjetra shijakas, të komanduar nga togeri patriot Masar Deliallisi, bashkë me shumë vullnetarë të tjerë, morën në mbrojtje karvanin e përfaqësuesve nga të gjitha trevat e vendit. Ndërkohë në mes të një entuziazmi të paparë popullor, me datën 27 nëntor mbasdite, në ballkonin e nënprefekturës së Shijakut u ngrit flamuri kombëtar, kurse firmat e tre përfaqësueve të lartpërmendur të trevës sonë, përjetësisht mbetën në dokumentin e Pavarësisë. Ndërkohë që zhvilloheshin këto ngjarje vendimtare për të ardhmen e vendit, në Shkodër vazhdonte lufta për mbrojtjen e qytetit. Mbi 1000 vullnetarë shijakas të komanduar nga patriotët e shquar Hasan Deliallisi dhe Hafiz Maliq Jakova, luftuan për shtatë muaj me rradhë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Rreth 120 luftëtarë të Shijakut dhanë jetën në luftimet e ashpra në Tarabosh, Bërdicë dhe Gur të Zi.

     Populli i trevës në vitet e vështira 1912-1920 u rreshtua në luftë kundër pushtuesve austro-hungarezë, italianë, si edhe kundër intrigave antikombëtare të Esat Pashë Toptanit. Në verën e vitit 1920, batalioni vullnetar i komanduar nga patritoti Kapllan Deliallisi, luftoi heriokisht për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në vitin 1924, në Shijak krijohet dega e “Bashkimit” me drejtues mësuesin Qazim Domi, që u zgjodh edhe kryetar bashkie, ndërsa sekretar, intelektuali Tahsim Këlliçi.

    Vitet 1925-39 e bënë Shijakun një qendër të përmendur në të gjithë Shqipërinë. Më 1926 u ndërtua nga inxhinierë francezë ura madhështore me dy harqe (e dyta në vend nga madhësia dhe bukuria, pas urës së Zogut, të ndërtuar mbi lumin Mat më katër harqe). Ajo ishte me dy kalime për automjetet dhe me trotuarë anësorë. Ura kishte një rëndësi shumë të madhe strategjike, sepse në atë kohë lidhte portin më të madh të vendit me kryeqytetin. Rruga nacionale që kalonte përmes qytetit, i dha Shijakut rëndësi dhe zhvillim në plan kombëtar. Qysh nga viti 1922 kishte filluar dhe brenda disa viteve përfundoi plani rregullues i qytetit, i cili e transformoi atë, duke e kthyer në një qytet të zhvilluar për kohën. Në vitin 1928 u vu në fuksionim centrali elektrik, ndërsa prodhimet e shumta bujqësore e blektorale furnizonin me bollëk Durrësin dhe Tiranën.

     Faqe e ndritur në historinë shumëshekullore të popullit tonë ka qenë dhe mbetet Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirim kombëtar dhe demokraci të vërtetë, e viteve 1939-1944, në të cilën populli heroik i trevës së Shijakut ka dhënë kontributin e tij të shquar. Kur i hedh një vështrim luftës antifashiste në Shijak arrin në përfundim se të gjithë banorët e qytetit e të fshatrave përreth i kthyen shtëpitë e tyre në baza të luftës, duke sakrifikuar gjithçka për ditën e lirisë. Rezistenca heroike e 7 prillit në Durrës, hedhja e urës në erë, krijimi i njësitit gueril, i organizatave antifashiste që çuan në krijimin e njësitit e më pas të batalionit partizan të Shijakut (bat. IV i Pezës) e mbi të gjitha sakrificat e panumërta të qytetit e të fshatit dhe gjaku i dhjetra dëshmorëve, do të mbeten monumente në historinë e trevës së Shijakut. Dhe të gjithë vendit. Nënprefektura u çlirua më më 14 nëntor 1944.

     Tradita e shkëlqyer e mikpritjes shijakase, e trashëguar me aq fanatizëm, do të shfaqej edhe në rastin e “dyndjes” së popullsisë çame, të përzënë nga trojet e tyre, menjëherë pas çlirimit të vendit. Me dhjetra familja çame u sistemuan në Shijak, duke u integruar plotësisht në jetën e qytetit dhe të rrethinave të tij. Për vite me rradhë ky komunitet i nderuar ka dhënë kontributin e vet te dukshëm në të gjitha drejtimet, duke ruajtur me besnikëri identitetin dhe aspiratat e të parëve të tyre.

    Por vetë qyteti i Shijakut në dekada ka parë dhe përjetuar paradokse nga më të çuditshmit dhe më skandalozët. Fakt i pamohueshëm është se qendra në Durrës e ka parë gjithmonë Shijakun me syrin e  njerkës, mbase nuk e teproj po ta theksoj, me syrin e metropolit ndaj kolonisë. Çdo investim, fuqi punëtore, bursa, objekte industriale apo shkolla përqendroheshin në Durrës, pak në Kavajë dhe gati aspak në Shijak. Harta e objekteve të ndërtuar gjatë viteve të kaluara flet vetë, prandaj me qindra e qindra punëtorë nga Shijaku ishin të detyruar të punonin në Durrës ose në Shkozet. Madje, edhe rivaliteti në sport do të merrte forma poshtëruese: lojtarët më të mirë merreshin me forcë, ndërsa drejtuesit e partisë e të pushtetit në rreth bënin çmos që skuadra e futbollit “Erzeni” të mos futej në kategorinë e parë.

Paradokset arrinin deri aty, sa që të ngulmohej që të formohej skuadra përfaqësuese e Durrësit në vojeboll vetëm me elementë shijakas, duke eliminuar skuadrën e qytetit. Kur tentohej për të ndërtuar një objekt industrial, Shijaku quhej zonë bujqësore nga pushtetarët e rrethit, prandaj “nuk duhej dëmtuar” toka bujqësore. Kur vinte puna për t’u furnizuar me bukë gruri (për të mos përmendur mallrat industrialë, që filluan të harroheshin), quhej “qendër bujqësore”, e cila duhej të konsumonte vetëm bukë misri..
    Edhe sot, kur ekonomia e tregut bën ligjin, për fat të keq, akoma ekzistojnë mentalitete të tilla anadollake e të dëmshme.

Mjafton të përmendim një fakt skandaloz: kur në vitin 1995-96 u përgatit harta e re e ndarjes administrative, “dikush me dashamirësi” raportoi në qendër se Shijaku paskësh “vetëm 3500 banorë”, prandaj nuk mund të bëhej qendër rrethi (një absurditet i vërtetë, sepse në atë kohë qyteti kishte afro 13 mijë banorë). Në pozita të barabarta me ne ishte edhe Peqini, por peqinasit u treguan më të shkathët dhe arritën që qytetin e tyre ta bëjnë qendër rrethi. Gjithashtu edhe Kavaja u bë rreth, u shkëput nga Durrësi dhe u bashkua me Tiranën (atyre u lumtë!). Del pyetja: Mirë që u krijuan rrethe të tillë si ai i Malësisë së Madhe, rrethi i Devollit etj., (që s’kanë ekzistuar më parë), po përse Shijaku, pothuajse është zhdukur nga harta? Për një fakt të tillë heshtet edhe sot.         
                                  
     Pra, ja evoluimi paradoksal administrativ në vite i Shijakut:
     - në kohën e mbretërisë: qendër nënprefekture me 64 katunde, që përfshinte një territor nga Ndroqi deri në Prezë, me urën me dy harqe (e dyta në Shqipëri, pas asaj të Zogut), me rrugën automobilistike Durrës-Tiranë që kalonte përmes qytetit, me tregti e zejtari, me taksi të shumta, hotele dhe lokale të përmendura në të gjithë vendin. Thjesht po sjell një kuriozitet: orkestrat e famshme sllave me këngëtarë tepër të njohur vinin nga Beogradi në Podgoricë, prej andej në Kafe të Madhe të Shkodrës dhe përfundonin në Shijak.

    - në periudhën e pasçlirimit: në mënyrë arbitrare, në vitin 1949, pushteti qendror i hoqi Shijakut fshatrat e Ndroqit, ato të Prezë dhe Marikajn, duke ia kaluar Tiranës. Gradualisht ai do të humbte edhe Rromanatin, edhe Sukthin, edhe Maminasin, edhe Ishmin. Tashmë Shijaku u shndërrua në qendër kooperative bujqësore e “tipit të lartë”, që kishte në varësi vetëm 11 fshatra përreth dhe me drejtim kryesisht bujqësor, larg rrugës automobilistike dhe hekurudhës, me një fabrikë mesjetare të prodhimit të niseshtesë, me një repart metalik e rrobaqepësi që vareshin nga Durrësi dhe repart qilimash, që varej nga Kavaja;

 - në kohën e demokracisë: Shijaku mbeti vetëm bashki qyteti, plotësisht i harruar. Pra, kokoshi u shndërrua në një minithelë.
     Ky paradoks mund të mos t’i pëlqejë dikujt, por është realitet, megjithatë, asnjëherë nuk është vonë për të ndrequr gabimet që rëndojnë mbi një krahinë të tërë. Administrimi më vete i qytetit të Durrësit (si qytet portualo-tregtaro-turistik) do ta shndërronte Shijakun në qendër rrethi, që do të përfshinte tërë fshatrat ekzistuese të sotme të rrethit të Durrësit, duke filluar nga Sheteli, Rromanati, Rrashbulli, Sukthi, Maminasi, Manza dhe Ishmi dhe do t’ia rikthente deri-diku lavdinë e dikurshme.

Mjafton një sygjerim i thjeshtë: sikur i tërë ky territor të administrohej nga Shijaku (si dikur), kur faktikisht sot komunikimi nuk është aspak problem, sepse në të gjitha komunat e shumta ekzistojnë telefoni, interneti dhe rrugët e asfaltuara, do të shkurtonte me dhjetra e dhjetra nëpunës, duke i kursyer shtetit shuma të konsiderueshme, me vlerë të madhe për mirëqenien e popullit.

     Ndarja ekzistuese administrative e republikës, e cila artificialisht krijoi me qindra komuna dhe me mijëra nëpunës, për mendimin tim, me një efikasitet mjaft të ulët, gjatë 17 viteve ka hedhur poshtë pozitivitetin e propaganduar në atë kohë.
     Në vazhdën e shumë reformave shpresëdhënëse për këtë vend, që ka ndërmarrë pushteti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, përfshihet edhe ndarja e re administrative, e cila do ta lehtësonte jashtë mase administratën lokale, duke e bërë më të thjeshtë, më komunikuese për popullin dhe më pak të kushtueshme.
 
                                                                                                                                                                                                *) historian e përkthyes

Shkrimi u publikua sot (08.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)