Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur senatorit demokrat amerikan Bernie Sanders, i cili në një reagim për protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, tha se projekti i dhëndrit të Presidentit Donald Trump dhe vëllezërve nga Katari është një katastrofë për mjedisin.
“Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz shkatërrues për mjedisin, i planifikuar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kjo është ajo se si duket oligarkia globale dhe njerëzit po thonë JO”, kishte shkruar Sanders në rrjetet sociale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama i kërkon senatorit Sanders që të mos e përdorë Shqipërinë si një argument për debatin e brendshëm politik në SHBA. Senatori Sanders garoi në Primaret e demokratëve në SHBA në vitin 2020, për kandidat për President, por në këtë garë arriti të fitojë ish-Presidenti Joe Biden.
Teksa thotë se faktet në terren në Shqipëri janë shumë më ndryshe nga titujt e lajmeve, kryeministri Rama shprehet se të shpallësh një katastrofë mjedisore përpara se ajo të ekzistojë, është diçka krejt tjetër.
Rama në reagimin e tij sqaron gjithashtu se ende nuk ka një projekt për resortin në Zvërnec dhe shton se investimi do të kryhet në përputhje të plotë me mbrojtjen e biodiversitetit, si dhe do të krijojë mundësi të shumta ekonomike për shqiptarët.
Reagimi i Ramës:
Me gjithë respektin, Senator, Shqipëria është një vend, jo një argument në debatin politik amerikan.
E vlerësoj sinqerisht interesin tuaj, por faktet në terren janë disi ndryshe nga ato që pasqyrojnë titujt e lajmeve. Dhe kur titujt bëhen burimi kryesor i informacionit, gjysmë të vërtetat kanë prirjen të shndërrohen në gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha, të përforcuara nga të njëjtat platforma për fuqinë deformuese të të cilave ju vetë keni ngritur shpesh shqetësime publike.
(Fakti që më pak se 10 mijë protestues u shndërruan në 100 mijë në postimin tuaj është ndoshta ekzagjerimi më pak i dëmshëm mes shumë të tjerëve.)
Ende nuk ka një projekt të miratuar, nuk ka leje ndërtimi dhe nuk ka një projekt përfundimtar. Ajo që ekziston sot është një proces planifikimi ku po punojnë disa nga arkitektët, projektuesit e peizazhit, ekspertët e mjedisit dhe konsulentët e ndikimit social më të njohur në botë, mbi një vizion për turizëm të qëndrueshëm elitar, me përfitime të matshme mjedisore, më shumë hapësira të gjelbra, më shumë pemë dhe rezultate më të mira për biodiversitetin.
Mospajtimi është legjitim.
Shqyrtimi mjedisor është i mirëpritur.
Kështu duhet të funksionojnë demokracitë.
Por të shpallësh një katastrofë mjedisore përpara se ajo të ekzistojë, është diçka krejt tjetër.
Ajo që do të ndërtohet në bregdetin shqiptar do të përcaktohet nga vizioni ynë, ligjet tona, institucionet tona dhe do të debatohet nga vetë qytetarët tanë. Por kurrë nuk do të bëhet peng i frikës për të ëndërruar, menduar dhe investuar në përmasa të mëdha.
Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, por të dëshmojmë se natyra mund të rigjenerohet dhe zhvillimi mund të rishpiket, duke ndërtuar me natyrën dhe jo kundër saj, në të mirë të njerëzve dhe mjedisit.
Ne mirëpresim investitorë seriozë që vijnë për të ndërtuar, për të krijuar vende pune, për të rritur standardet e jetesës dhe për të respektuar rregullat tona. Ajo që nuk na duhet është zemërimi i importuar, refleksat ideologjike apo shndërrimi i Shqipërisë në një rekuizitë të teatrit politik të dikujt tjetër.
Faktet të parat. Gjithmonë.
Sepse Shqipëria nuk është një sfond për betejat politike të huaja.
Është një vend i vogël, por krenar dhe i lirë, që bën zgjedhjet e veta dhe përcakton vetë të ardhmen e tij.
Dhe, duke thënë këtë, shpresoj që ta kujtoni Shqipërinë edhe pasi titujt e lajmeve të kenë kaluar. Madje, shpresoj që të vini dhe ta vizitoni vetë vendin tonë të bukur, i cili po përballet me sfidën historike për t'u bërë së shpejti një anëtar krenar i Bashkimit Europian, ku asnjë projekt që ndikon mbi natyrën nuk mund të ecë përpara pa përmbushur disa nga standardet, vlerësimet dhe kërkesat ligjore mjedisore më të rrepta në botën demokratike.
Pikërisht për këtë arsye duhet t'u besojmë më shumë fakteve, institucioneve dhe procesit të rregullt ligjor sesa titujve, supozimeve dhe indinjatës virale.
Dhe ndoshta, duke qenë se keni kaluar kaq shumë vite duke paralajmëruar për rreziqet e dezinformimit, mund të vlerësoni gjithashtu se realiteti meriton të paktën të njëjtën mundësi për t'u dëgjuar sa edhe historitë që tregohen për të.
Më lejoni të them se kjo është një arsye e mirë për t'ju ftuar si mysafirin tonë në Shqipëri, ku, siç thuhet në Kanunin e lashtë shqiptar, shtëpia i përket Zotit dhe mikut.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të senatorit amerikan Bernie Sanders, lidhur me investimin turistik në Zvërnec.
Përmes një postim në rrjetin social X, Sanders kritikoi projektin e resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner (dhëndrin e Presidentit Donald Trump), duke pretenduar se mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë kanë protestuar kundër tij dhe se ai përfaqëson një rast të “oligarkisë globale”, ku interesat private përplasen me interesin publik.
Pas këtij reagimi, Balla i është kundërpërgjigjur senatorit amerikan, duke e akuzuar për përfshirje në një fushatë dezinformimi.
“Mos e përdorni Shqipërinë si mish për top për të goditur kundërshtarin tuaj politik. Kjo është një fushatë dezinformimi ku përfshihet Irani dhe aktorë të tjerë malinjë, me përmbajtje antisemitike”, shkroi Balla në reagimin e tij.
Debati vjen në një kohë kur projekti i investimit në zonën e Zvërnecit vijon të jetë në qendër të diskutimeve publike dhe politike, duke ngjallur reagime si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë mbrojtur projektin si një investim strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së zonës.
Komente







E NUK TE PELQEN SANDERS..SEPSE AI ESHTE AMERIKAN DHE I NDERSHEM...QE NUK I KA VJEDHUR ASNJE LEK POPULLIT AMERIKAN,,,JO SI TI EDI RAMA HAJDUT ME DAMKE....SA PER POLITIKE AI SANDERSI NUK PRETENDON ASGJE ,,SEPSE ESHTE 80 E KUSUR VJEC....E PER ME TEPER DO BEJE PIKE SANDERSI ME NJE HAJDUT 10.000 KM.LARG.DISA AMERIKANE AS E DINE SE KU BIE SHQIPERIA.....
Përgjigju