Prej gati 4 vitesh qeveria e Berishës mbahet në këmbë me votat e një aleati të tillë të majtë si LSI e Metës. Një prognozë e mbështetjes politike për këtë koalicion në zgjedhjet e 2013?
Nuk ka gjë të çuditshme në këtë koalicion. Këta nuk kanë as vlera, as ideale e as programe që të mos i lejojnë që të lidhen me kundërshtarët. Këta kanë vetëm interesa personale e klanore. Nëse ndokush mendon se kjo "Qeveria e Integrimit" ka pasur ndonjëherë ndërmend që të sjellë integrimin, nuk i njeh mirë këta tipa interesantë. Këta kanë thjesht interesa, punojnë për vete dhe për klanet e tyre, asgjë më shumë. Të dy palët qeverisin me marrëveshje, nuk i besojnë njeritjetrit, por janë si shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Koalicioni që do të dale fitues në vitin 2013 dihet që tani se do të jetë me përqindje midis tre a më shumë palëve të parisë. Ai do të jetë një qeveri teknike për të përballuar "krizën globale" dhe efektet e saj në Tiranë. Mirëpo, dhe PD i ka shanset që të jetë pjesë e një qeverie të ardhshme teknike të parisë. Kjo qeveri do të vijë si pasojë e përpjekjes së parisë për të paraqitur një front të bashkuar dhe për të thënë se lufton kundër krizës ekonomike që tashmë po e përfshin shtetin shqiptar si cunami.
Jo po thoni për një qeveri me bazë të gjërë, ku të jenë PS e PD?
Si edhe e thashë, gjasat janë që qeveria e ardhshme do të jetë jo vetem PS, por me siguri të mjaftueshme dhe PD e LSI, si dhe padyshim partiçkat e tjera të parisë. Këto konceptet që përdorni ju, 'e majta' dhe 'e djathta' janë thjesht koncepte komike, që mund të ishin dhe 'lart e poshte', "hudhra e qepa" apo 'lindje' e 'perendim.' Në shtetin shqiptar nuk mund të behen prognoza afatgjata për aspekte të kësaj natyre sepse marrëveshjet midis parisë janë momentare dhe bëhen e prishen në bazë të fuqisë së momentit të klanit të caktuar që kontrollon një parti apo tjetrën.
Mendoni se ka përfituar PD nga LSI apo anasjelltas gjatë kësaj qeverisjeje?
Ajo që është e sigurtë është që me politikanë të tillë kanë humbur, po humbin, e do humbin të gjithë shqiptarët. Këta kanë përfituar për vete, kanë punuar për vete e do punojnë veç për vete.
Ka lëvizje në politikën shqiptare. Është krijuar FRD e Topit dhe AK e Spahiut. Mbështetja për këto dy parti të qendrës së djathtë, sa e dëmton PD në zgjedhjet e verës së ardhshme?
Shiko, paria e Tiranës nuk ka lënë zgjedhje pa manipuluar. A mendoni se do të ketë zgjedhje të ndershme ku të numërohen votat si duhet? Jo. PD-në e dëmton një parti që punon për shqiptarët, që mban parasysh interesat e tyre dhe që provon se nuk është vegël e instrument i klaneve të parisë. Por, edhe po të marrin vota të shumta këto parti, atëherë, të gjithë palët e parisë do të bëhen bashkë për të shmangur forcat që mund të marrin vota, edhe pse nuk janë të sprovuara ende në lojën e intrigës e të djallëzisë së parisë sunduese. Natyrisht që koha ka ardhur për një fillim të ri dhe nevoja për ndryshim është e pashmangshme dhe forcat e reja politike duhet të kuptojnë mirë se cilat janë rrugët e ndryshimit të vërtetë. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vle-rave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin e konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve...
....Po integrimi?
Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i një politike të jashtme e cila të avancojë interesat shqiptare. Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror e mafioz, për të ruajtur pushtetin politik, dhe kontrollin mbi ekonominë e mendësinë e popullit që sot e sundon. Unë vetë do të kisha sakrifikuar gjithçka për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të moralshme, të begatë, dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.
Ju jeni deklaruar gjithnjë për një politikë ndryshe në Shqipëri, që të ngjasojë me atë të vendeve me demokraci të zhvilluar. Mendoni të jepni ndonjë kontribut të drejtëpërdrejtë në njërën prej dy partive të djathta të krijuara, FRD ose AK?
Unë nuk besoj se duhet të merrem me politikë aktive, sepse në këtë pikë mendoj se kontributi më me vlerë që mundem me dhënë është në fushën e analizës dhe të studimit. Unë jam i përkushtuar në fushën time e politikën më shumë e studjoj se sa e praktikoj. Por unë do të ndihmoja çdo forcë politike që punon për ndryshimin e sistemit dhe për zbatimin e një projekti i cili mban parasysh dhe punon për një rindërtim të menduar mirë të strukturave e të institucioneve shtetërore, për një afirmim të vlerave e të identitetit, për një përparësi të interesit shtetëror e kombëtar, dhe të vënies së interesave të bashkësisë mbi interesat personale të parisë. Kjo rrugë është rruga e ndërtimit të shtetit kombëtar, e stabilizimit të sistemit demokratik dhe e strukturave partiake. Kjo është rruga e vendosjes së një ekonomie tregu të institucionalizuar, e një administrate që zbaton ligjin, dhe e kultivimit të një shoqërie civile shekullare që kontribuon aktivisht në jetën publike, e zhvillimit dhe e të lulëzimit të vlerave morale që duhen për të kultivuar një shoqëri të shëndoshë, të begatë dhe bashkëkohore. Më në fund, por më e rëndësishmja, baza e suksesit për një tranzicion është njësimi kombëtar, formësimi i ndërgjegjes kombëtare, dmth një identitet i përbashkët i shtetasve...
Ju po thoni se nuk është zgjidhur çështja kombëtare...?
Në rastin shqiptar, për shkak të natyrës specifike të problemit, tranzicioni shqiptar nuk mund të shihet i shkëputur nga çështja kombëtare shqiptare. Zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare është parakushti për suksesin e çdo reforme dhe zbatimin e çdo projekti që do t'i vendosë proceset në hullitë e duhura. Një parti që i përmbush këto kushte dhe që ofron këtë program do të ishte një parti shpresëdhënëse dhe që meriton mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, e natyrisht edhe timen.
Eduard Selami mësohet se në verën e ardhshme do jetë një ndër figurat kryesore të FRD të Topit për fushatën zgjedhore të vitit 2013. Mendoni se dhe një afrim juaji me njërën nga këto parti do t'i jepnit një dimension tjetër politikës shqiptare?
Është gjë e mirë kur politikanët besojnë në vetvete dhe kërkojnë të rikthehen në lojën politike me besimin se, si individë, janë ndryshimi e sjellin ndryshimin. Une ende nuk kam parë një program politik nga z.Selami, që është një figurë e çmuar nga shoqëria shqiptare. Sa për vete, unë jam një njeri si gjithë të tjerët. J'ua them me sinqeritetin më të plotë se jam shumë i përvuajtun për me besue tek individët e personalitetet që kanë me i zgjidhë punët e shqiptarëve thjesht me hyrjen e tyre në politikë. Por, bindjet e mia, që duhen ndarë prej personit janë diçka tjetër. Mendoj se ideologjia që më frymëzon mua, ideali që unë nuk e kam braktisur as në rrugën e mundimeve të pafund, parimet e organizmit shoqëror të paraqitura më lart, janë dhe ofrojnë të vetmen zgjidhje pozitive të mundshme e të nevojshme për shqiptarët në planin afatgjatë. Njerëzit duhet me ardhë e me ikë në politikë, ideologjia duhet me mbetë. Njerëzit janë të gjithë të gabueshëm, ideali i duhur është i pagabueshëm dhe ndihmon me përmirësue gjithkënd e jetën e gjithkujt.
Fatos Nano ka inicuar një lëvizje brenda PS me qëllim bashkimin e së majtës, por dhe me qëllimin që në një rast të mundshëm të zhvendosë Ramën e të marrë drejtimin e PS. Mendimi juaj?
Asgjë të veçantë. Fatos Nano e njeh mirë PS-në, e ndjen se ka një hapësirë sado të ngushtë, dhe do të përpiqet të hapë një vend në politikën shqiptare për vete e për të pakënaqurit nga Edi Rama dhe nga drejtuesit e rinj të PS-së.
Reagimi i Nanos, vjen si një kundërpeshë ndaj Ramës që nuk e kandidoi për President dhe si e gjykoni procesin presidencial?
Komedi. Të gjithë mbajtën frymën deri në minutën e fundit dhe kandidati e mori vesh që do caktohet president një orë para votimit, kur ishte nisur për të votuar për kandidatin tjetër. Por kjo është shenjë e qartë se shteti shqiptar është oligarki e pastër. Tre vetë e kontrollojnë sot shtetin, ata merren vesh mirë bashkë. Shahen ditën, puthen natën dhe kjo u pa gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit. Të tjerat janë fjalë tavolinash.
Mendoni se qëndrimi i Berishës që s'pranoi president konsensual por zgjodhi një figurë politike si Nishanin në krye të shtetit, do të shtyjë më tej integrimin e Shqipërisë në BE?
Kjo as e shtyn e as afron. BE ia ka thënë parisë së Tiranës se nuk do të ketë anëtarësim edhe për 15-20 vjet. Kështu që loja në dukej serioze me integrimin, me kushtet, etj., është vetëm komedi për konsum publik. Problemi është se dikujt duhet me i mbetë faji. Në një vend ku çuditë zgjasin vetëm tre orë, ka me kalue edhe ky dështimi i pritshëm i integrimit.
Si i shihni institucionet e pavarura Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatat, SHISH pas zgjedhjes së Presidentit të ri?
Ashtu si janë dhe sot, shumë të korruptuara, të kriminalizuara, të instrumentalizuara dhe në rastin e SHISH dhe të Prokurisë së Përgjithshme, edhe të margjinalizuara. Askush nuk do t'i prekë klanet sunduese, as pinjollët e familjeve dhe as do të shkojë të hapë dosjet që janë të mbushura me gjithfarë krimesh. Pavarësia e këtyre institucioneve është vetëm në letër. Paria ka instrumente direkte dhe indirekte për të ndikuar në veprimtarinë e tyre.
Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për "disiplinimin" e politikës, ku precedenti grek tregoi se partitë e mëdha mund të rrëzohen?
Të zgjohen dhe të kuptojnë se këta janë të pakorigjueshëm, të kriminalizuar dhe se i kanë marrë ne qafë si shtet, si popull e si të ardhme. Të binden se tranzicioni ishte një dështim. Të kuptojnë se s'duhet të jetojnë për një kafshatë buke, e se nuk iu detyrohen asgjë këtyre sundimtarëve që kanë. Të gjejnë mënyrat për t'iu shmangur influencën së tyre të keqe. Të punojnë me ndershmëri e me vlera për të mirën e tyre e të fëmijëve të tyre. Të zgjedhin njerëz që duan të zbatojnë atë program e që e duan popullin e vet pa kushte. Kjo është e vetmja rrugë.
Zgjedhjet po afrojnë. E shihni Edi Ramën si kryeministër të vendit e sa besim mund të ketë në premtimin e tij për ndryshim?
Për mua të gjithë këta janë 'në tavë' bashkë. S'ka rëndësi kush do jetë kryeministër nga këta që janë në lojë sepse nuk përbën ndryshim. Ndryshim ka gjithë kohën në shtetin shqiptar. Bie shi, fryn erë, bie dhe borë nganjëherë. Ndryshim është edhe kënga e fundit e këngëtares Çiljeta Xhilaga. Por këta që drejtojnë segmentet e parisë s'janë ndryshimi, sese janë aq të lidhur me sistemin sa nuk i ndërrojnë dot një presje nga loja pa i marrë leje njëri-tjetrit. Premtimet e bëra nga politikanët unë gjithnjë i marr seriozisht dhe jam i bindur se do të ketë reforma sepse reformat ndihmojnë në riorganizmin e shfrytëzimin më të mirë të burimeve ekzistuese. Po. Edi Ramën e shoh kryeministër, por vetëm në një qeveri teknike me përqindje të caktuara së bashku me disa nga figurat kryesore të këtij tranzicioni a përfaqësues të tyre si Ilir Meta, Sali Berisha, Fatmir Mediu, dhe padyshim, Vangjel Dule.
(jm/im/aq/shqiptarja.com)