Report Tv ishte në lartësinë e Përmetit, në lagjen Sade, ku disa banesa u përmbytën nga uji e balta. Problematika qëndron 1.5 km sipër në lartësinë e fshatit Leuse. Pasi masivi shtufor është gati të bjerë dhe të përmbysë gjysmën e Përmetit.

Pamjet me dron që sjell Report TV tregojnë qartë përmasat e rrëshqitjes masive të dheut që ka zbritur nga mali drejt zonës së banuar.

Më datë 7 janar, 10 familje që jetojnë në lagjen 'Sede' u evakuan përkohesisht në konvikte. Tashme ata jane kthyer ne banesa, ku gjithçka është nën pushtetin e baltës dhe inerteve. Pemët janë shkulur, ndërsa toka duket e spostuar në disa metra, me çarje të dukshme përgjatë shpatit.

“Kërkojmë ndihmë, sepse deri më sot nuk kemi marrë asnjë. Rrezikojmë, shtëpia mund të bjerë.”

“Ishte ora 21:00. Ra si tërmet dhe balta na erdhi te dera. Erdhi policia dhe na nxori. Toka ka shkarrë mbi 20 metra thellë.”

“Ra mali natën dhe balta na hyri brenda. Na çuan në konvikt. Jemi kthyer, por jemi të pasigurt.”, thanë banorët.

Edhe pse reshjet kanë pushuar, nga pamjet me dron shihet se rreziku është ende prezent nga masa e madhe e dherave që qëndron mbi banesa....

Bashkia e Përmetit ka kërkuar ndihmën e Shërbimi Gjeologjik Shqiptar për një vlerësim teknik të situatës, ndërsa priten konkluzionet për ndërhyrje emergjente.

 “Në datë 6-7 janar ka pasur rrëshqitje të interteve në lagjen 'Sede' të Përmetit. Kemi kontaktuar Shërbimin Gjeologjik. Ne jemi në pritje të këtij studimi për të marrë masa. Janë bllokuar ditën e ngjarjes 4 familje. Nuk e dimë si do të ndërhyjmë se ne s’kemi burime njerëzore, s’kemi specialist për të bërë një vlerësim të situatës së shkaktuar nga erozioni”., tha nënkryetari i bashkisë, Flori Hasani.

Kur ka kaluar një muaj pa përgjigje, banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa frika për një tjetër rrëshqitje mbetet e pranishme çdo ditë.