Në vijim të zbatimit të planit të masave, të hartuar në prag të festave të fundvitit, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit të lëndëve piroteknike me qëllim shitjen e kundërligjshme të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, evidentuan 3 dyqane që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme.

Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi hetimi për shitësit me inicialet O.D., A.K. dhe D.M., pasi në dyqanet e tyre u gjetën kuti me fishekzjarre, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen e tyre.

Blutë e Dibrës njoftojnë se kanë sekuestruar fishekzjarret e gjetura dhe apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe të mos tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, që përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.