Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lushnjës pasi dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi.

Nga kontrollet blutë sekuestruan në banesën e Eduart Sharkës 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, 1 grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë.

“Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, pas disa muajsh hetime të kryera me metoda proaktive, organizoi dhe finalizoi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin e koduar “Motoristi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

E. Sh., 31 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, 1 grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë”, njoftoi policia.

Në pranga ra edhe një 39-vjeçar, Skerdilajd Gjoni i cili dyshohet gjithashtu se shiste doza kokaine në qytet.

“S. Gj., 39 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 3 celularë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë”, thuhet më tej në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë