Një 22-vjeçar është arrestuar sot në Dhërmi pasi dyshohet se shiste kokainë në zonë. Policia e ndaloi Justino Kurtin ndërsa lëvizte me makinë dhe gjatë kontrollit i gjeti disa doza të lëndës narkotike.
Kontrolli vijoi edhe në automjet, ku u zbulua një pistoletë sportive me municion dhe silenciator.
I riu, banues në fshatin Dhërmi u vu në pranga në flagrancë.
Sipas policisë, ai dyshohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Dozat e kokainës dhe arma u sekuestruan si prova materiale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë
"Shiste doza Kokaine në Dhërmi, kapet në flagrancë me disa doza dhe me pistoletë sportive, në automjet, vihet në pranga 22-vjeçari. Sekuestrohen dozat e Kokainës, gati për shitje, dhe pistoleta sportive me silenciator. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale. Shërbimet e Policisë ndaluan në fshatin Dhërmi, automjetin me drejtues shtetasin J. K. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit J. K. iu gjetën disa doza Kokaine, ndërsa gjatë kontrollit në automjet, u gjet një pistoletë sportive, me municionin përkatës dhe me silenciator. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi J. K., 22 vjeç, banues në Dhërmi, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme"
Komente










