
Gjatë votimit në Kuvend për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, grupi parlamentar i Partisë Socialiste abstenoi për amendamentin e propozuar nga Erion Braçe.
Braçe kërkonte që pas nenit 44 të projektligjit, të shtohet neni 45. Amendamenti i Braçes ka për qëllim kategorizimin “vepër penale” të shitjes, ofrimit falas, shitjes me ofertë për të miturit nën moshën 18 vjeç duhanit dhe produktet e duhanit.
Siç ai shpjegoi, amendamenti e kërkon këtë kur më parë ndaj personit janë marrë masa administrative. Sipas propozimit, parashikohet gjobë nga 100000 lekë në 300000 lekë ose burgim deri në 6 muaj. Gjithashtu parashikohet 4-8 vjet burgim për dëmtim të rëndë të shëndetit të të miturit dhe 8-16 vjet burgim në rast se shkakton vdekjen e tij.
Fjalën e mori kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, i cili kërkoi shtyrjen e votimit.
“Në emër të grupit parlamentar të PS dua të sqaroj se nuk ka asnjë dyshim që mbështesim çdo lloj nisme të kësaj natyre, por sikurse u tha përgjatë gjithë procesit të diskutimit jo vetëm të këtij projektligji, por të gjithë kësaj pakete kemi përpara një paketë që është negociuar gërmë për gërme me Komisionin Europian, pra gjithë ndryshimet e sotme në Kodin Penal në rastin në fjalë, është negociuar me ta. Nuk është serioze për ne që të kalonim sot për nesër këto ndryshime. Kemi pasur një përpjekje gjatë gjithë këtyre orëve me komisionin, ua kemi dërguar materialin, por nuk kemi marrë përgjigje. I kërkoj kolegut Erion Braçe shtyrjen”, tha Balla.
Amendamenti i Braçes u votua me 2 vota pro, 82 abstenim dhe 0 kundër. Braçe nuk votoi në dy projektligje:
-“Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, i cili mori 83 vota pro, 0 abstenim dhe 10 kundër.
-“Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, i cili mora 84 vota pro, 0 abstenim dhe 10 kundër.
Lajmi kryesor:
Akti normativ i buxhetit dhe ndryshimet e reformës në drejtësi kalojnë në Kuvend, miratohet për herë të parë projektligji për lobimin












