Oferta e kompanive
• Balfin shpk – vlera e ofertës 1,656,000,000 lekë.
• Kastrati dhe Albsig (joint venture) – vlera e ofertës, 1,525,473,000 lekë.
• Recovered Earth Technologies & Duraku shpk – vlera e ofertës 2,152,800,000 lekë.
• Eurosig – vlera e ofertës 2,222,122,000 lekë.
Qeveria ka parashikuar shitjen e 100% të aksioneve të INSIG për vlerën minimale 15.305.000 euro përmes tenderit të hapur.
Referuar njoftimit në Agjencinë e Prokurimeve Publike nga MF, për zgjedhjen e ofertës fituese, do t’i jepet përparësi çmimit më të lartë të propozuar. Sipas kritereve të vlerësimit të ofertave, peshën më të madhe të pikëve, prej 80%, do ta ketë çmimi i ofruar nga konkurrenti, ndërkohë që plani i biznesit dhe cilësia e blerësit do të kenë respektivisht nga 10 pikë.
Debatet
Edhe gjatë seancës së sotme plenare, kryeministri Edi Rama tha nga foltorja e Parlamentit se Partia Demokratike e katandisi INSIG-un në një kompani fantazëm.
"INSIG-u është katandisur nga një kompani lider në tregun e sigurimeve, në një fantazmë që ka thuajse më pak se 5% të tregut sot. INSIG-un e katandisën nga një kompani lider dhe një kompani rajonale sigurimesh, në një fantazmë me thuajse më pak se 5% të tregut, ata që sapo ikën. Politika e qeverisë së vjetër që nuk bëhet dot opozitë. Një kompani, e shtrirë në gjithë territoret ku ka shqiptarë në rajon dhe që në Kosovë ishte në prag të humbjes së licencës pasi krijoi një gropë për të cilën ministri i Financave ka negociuar ngushtësisht dhe intensivisht për ta kapërcyer. E nga ana tjetër, në një treg që e kthyen në xhungël, dështuan tre herë ta privatizojnë INSIG-un. E vërteta sot, është se një kompani ndërkombëtare vlerësimi ka bërë vlerësimin, kompania BDO, të cilën Saliu e përmend shpesh në ligjëratat e tij, dhe vlerësimi është publik, është online, e ka vlerësuar kompaninë në harkun e 10 deri 15 milionë eurove. Sot, në një proces tërësish transparent, ministria e Financave sapo ka lajmëruar që ofertat janë përtej parashikimeve më optimiste e faktikisht shkojnë deri në 2.2 miliardë lekë. Pra përtej kufirit maksimal të vlerësimit të kompanisë,” deklaroi kreu i Qeverisë.
Ndërsa, ish kryeministri Sali Berisha është shprehur se është faji i Qeverisë që vlera e shitjes së INSIG është afërsisht 15 milionë euro. Sipas tij, fituesi i tenderit është paracaktuar.
“Fitues thuhet se do jetë Olsi Rama - Gaz Demi”, shkruan ish kryeministri në Facebbok.
Ndër vite, INSIG ka humbur terren në treg në raport me kompanitë e tjera private, që operojnë në fushën e sigurimeve.
Historia
Kompania e vetme shtetërore e sigurimeve ka dalë në shitje dhe më herët, por procedurat për privatizimin e saj kanë njohur dështime që prej gati 6 vjetësh. Më herët, në INSIG veç Shtetit, kishin aksione edhe dy institucione ndërkombëtare: IFC dhe BERZH.
Privatizimi i kompanisë ishte më pranë në vitin 2010. Një firmë amerikane u shpall fituese e garës, pasi deklaroi se do t’i blinte të gjitha aksionet në pronësi të shtetit për 50 milionë dollarë, por më pas u tërhoq nga procedurat e tjera, duke bërë që shitja të dështonte. Kompania njoftoi atëherë se tërheqja erdhi pasi kriza globale kishte dëmtuar financat e tyre. Ndërkohë, edhe akuzat politike nuk kanë munguar sa herë është folur për shitjen e INSIG.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)