Zgjedhjet e reja, sipas statusit të këtij institucioni, u shpallën një muaj më parë. Në zgjedhjet e radhës pritet të konkurrohet për postin e kryetarit, të nënkryetarit dhe atë të sekretarit të seksionit të shkencave albanologjike, pas daljes në pension të prof.Emin Rizës, që mbante këtë detyrë.
Afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave ishte data 30 Qershor dhe deri më tani janë paraqitur vetëm tri të tilla. Për postin e kryetarit kandidon prof.Muzafer Korkuti, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit, ndërsa për postin e nënkryetarit kandidon Gudar Beqiraj, që mban aktualisht postin e kryetarit. Nëse do të votohen nga akademikët, do të ndërrojnë vendet.
Ndërkaq, profesor Ethem Lika ka paraqitur kandidaturën për postin e sekretarit të seksionit të shkencave albanologjike. Deri më tani, ende nuk është bërë publike një datë se kur do të mbahen zgjedhjet. I habitshëm është numri i paktë i kandidatëve; një emër për në post. Në zgjedhjet e fundit, postet drejtuese i synonin shumë kandidatura, ndër ta Fatos Kongoli, Apollon Baçe, Kolec Topalli etj.
Redaksia Online
(by/shqiptarja.com)