Shkaqet e krizës turke duhen kërkuar në politikat e Ankarasë

Shkaqet e krizës turke duhen kërkuar në politikat e Ankarasë

Foto ilustruese

Prokuria turke po kërkon të gjejë shkaqet e krizës monetare dhe financiare të vendit në ndërhyrje nga jashtë, si dhe në përhapjen e lajmeve të rreme, por për ekonomistët vendas e të huaj shkaqet duhen kërkuar në një tjetër drejtim: tek politika ekspansioniste e presidentit Erdogan, i cili, nga ana e tij, akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrjetet sociale.

Rënia
Kriza financiare turke fundosi bursat evropiane, të cilat të hënën patën rënie të ndjeshme, por u rimëkëmbën disi të martën. Një frikë e ndjeshme ka përfshirë investitorët e bursave, të cilët kanë filluar të shesin aksionet që mund të shiten. Kështu, vlera e tyre bie. 
Në të njejtën kohë, banka qendrore e Turqisë ka siguruar se do të marrë të gjitha masat që të frenojë rënien e vlerës së monedhës kombëtare – lira – e cila ka humbur deri tani 40 për qind të vlerës së mëparshme. Kjo, duke furnizuar me likuiditete të mjaftueshme ekonominë dhe ndërmarrjet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, në mënyrë që të mos cenohet stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit.

Ndërkohë, sikurse njofton rrjeti televiziv CNN turk, prokuroria e Stambollit ka nisur hetimet për të gjetur individë të dhyshuar se janë përfshirë në veprime që minojnë sigurinë ekonomike të Turqisë. Zyra e kryeprokurorit bëri të ditur se ka dyshime për një “sulm ekonomik”, nisur nga lajme false, në funksion të qëllimeve antiturke.  

Nga ana tjetër, presidenti Erdogan ka siguruar se ekonomia e Turqisë vijon të jetë e fortë dhe vijon, gjithashtu, të sulmojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Nga njera anë jeni me ne në gjirin e NATO-s dhe veproni si një partner strategjik, nga ana tjetër kërkoni të na futni thikën pas shpine neve, aleatit tuaj strategjik”.

Ndërkohë, në Ankara ka mbërritur ministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov, ndonëse Kremlini ka bërë të ditur se Erdogani nuk i ka kërkuar ndihmë Putinit në telefonatën e bërë mes dy liderëve të premten e javës së kaluar, në kulmin e krizës së lirës turke. Sipas Erdoganit, nuk ka arsye për t’u shqetësuar, pasi themelet e ekonomisë turke janë të fuqishme. “Ndodhemi përballë një incidenti unik. Ministria e Thesarit po studjon të gjitha masat e duhura që duhen marrë përballë këtij fenomeni dhe ne do të ecim përpara, pasi do të kemi plane të tjera për të zbatuar në të ardhmen. Do ta përballojmë me sukses rënien e vlerës së monedhës sonë”, tha ai në një konferencë shtypi. Duke përfunduar se “nuk duhet të bëjmë kurrë kompromise dhe nuk do të braktisim kurrë idealet tona të tregut të lirë”. 

Hetimet
Prokuroria e Stambolllit po nxiton të vejë gishtin mbi fajtorë të brendshëm që kanë nxitur panikun në tregje, duke cenuar sigurinë ekonomike, ndërkohë që autoritetet e Financave po merren me gjetjen e lajmeve të rreme që duhet të kenë shtuar pasigurinë në ekonomi. Sipas tyre, duket se bëhet fjalë për një veprim në shkallë të gjerë kundër Turqisë, që ka filluar pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016 dhe që “synon dëmtimin e paqes sociale dhe sigurisë ekonomikë të vendit tonë”, thuhet në një komunikatë të zyrës së prokurorisë së Stambollit.

Si pasojë, në shënjestër të autoriteteve kanë përfunduar 346 llogari në rrjetet sociale që kanë shpërndarë lajme të cilat nxitën rritjen e vlerës së dollarit në tregun e kambimeve, sipas prokurorisë. Po kështu, Financat po hetojnë lidhur me përhapjen e lajmeve, sipas të cilave autoritetet e vendit po përgatiteshin të konvertonin në monedhën vendase depozitat bankare të ndërmarrjeve dhe individëve në Turqi në valutë të huaj, për të rritur vlerën e monedhës vendase. Sipas kësaj ministrie, të gjitha këto lajme janë pa baza reale.   

Shkaqet e vërteta
Po përse po bie vlera e lirës turke? Përtej akuzave për komplote dhe lajme të rreme të qëllimshme, të dhënat statistikore tregojnë se lira turke ka humbur gjatë vitit të fundit më shumë se 40 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit dhe euros, ndërkohë që rënia e shpejtë e mëtejshme ka ndodhur në 10 gusht të këtij viti pas një përplasjeje diplomatike mes administratës Trump dhe autoriteteve të Ankarasë rreth pastorit amerikan Brunson, që mbahet në arrest në Turqi si mik i Fetullah Gylenit. Kjo situatë negative iu shtua rritjes galopante të inflacionit në vend, që vetëm gjatë korrikut arriti në +16% në shkallë vjetore.

Mbas gjithë kësa fshihen arsye ekonomike, politike dhe gjeopolitike. Në fakt, ekonomia turke gjatë vitit të kaluar u rrit me ritme shumë të përshpejtuara – +7% - por ajo është nxitur nga lehtësimi i kushteve për të përfituar kredi bankare, si për ndërmarrjet, ashtu edhe për konsumin familjar. Investitorët e huaj, përballë kësaj situate, në korrik po prisnin që banka qendrore të rriste normën bazë të interesit për të frenuar tendencat inflacioniste, por kjo nuk ndodhi. Tanimë, sipas normave të reja ligjore të miratuara, presidenti Erdogan kontrollon emërimin e guvernatorit të kësaj banke dhe ka qenë presidenti ai që vendosi se banka nuk duhet t’i rritë normat e interesit, pasi, sipas tij, kjo do ta rriste më tej inflacionin, në vend që ta ulte.     

Ajo që i vuri përfundimisht flakën situatës ka qenë vendimi i Donald Trumpit për të rritur tarifat doganore amerikane për hyrjen në SHBA të çelikut dhe aluminit të prodhuar nga Turqia. Kjo, pas arrestimit të pastorit evangjelist amerikan, të sipërcituar. 

Të gjitha këto i janë shtuar dyshimit të tregjeve dhe operatorëve të tyre ndaj ekonomisë turke, ndaj politikave ekonomike të presidentit Erdogan dhe faktit që ai ka emëruar dhëndërrin e tij Berat Albayrak në postin e ministrit të Ekonomisë. Sipas Toru Nishihama, ekonomist i tregut me bazë në Tokio në Dai-ichi Life Research Institute Inc. “ekonomia globale është ende duke u zgjeruar dhe kjo po u siguron mbështetje themelore tregjeve në zhvillim. Por problemet e Turqisë nga ‘shpata e saj’ me Shtetet e Bashkuara, çështjet e pavarësisë së bankës qendrore dhe presionet inflacioniste nuk zgjidhen, që do të thotë se presioni në rënie ndaj aseteve turke do të vazhdojë për një kohë të gjatë “.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë