Pas reagimeve zyrtare ku nuk munguan akuzat në adresë të PS dhe PD se po bëjnë komplot ndaj LSI, kryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, i është drejtuar përmes një letre presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama, kryeprokurorit Adriatik Llalla, kreut të KQZ, Klement Zguri, si dhe përfaqësuesve të misionit të OSBE/ODIHR në Tiranë.
LSI shpreh shqetësimin e saj për shkarkimet e drejtorëve, ndërsa kërkon të merren masa ndaj kësaj situate.
"Po kompromentojnë ecurinë e procesit zgjedhor"
Sipas LSI, ndryshimet në administratë janë bërë pa asnjë motiv, ndërsa thekson se po kompromentohet ecuria e procesit zgjedhor.
"Shkarkimet pa asnjë motiv e provë, duke abuzuar me hapësirat antiligjore të krijuara nga ky vendim, po kompromentojnë ecurinë normale të procesit zgjedhor, po instalojnë një klimë absurde abuzimi dhe shpërdorimi me pushtetin, e cila ka përkeqësuar klimën politike dhe ka ushqyer indinjatën e thellë të opinionit publik për këto veprime.
Veprime të tilla duhet të ndalen menjëherë", thuhet në letër.
Vasili: LSI u la jashtë diskutimeve për task forcën
Vasili thekson se ministrat e LSI në kabinetin qeveritar janë lënë jashtë diskutimeve për ngritjen e Task Forcës me qëllim monitorimin e veprimtarisë së administratës.
"Një vendim kaq i rëndësishëm nuk i është nënshtruar asnjë debati qeveritar dhe mundësisë së shprehjes së opinioneve nga Ministrat, por është hartuar e miratuar në mënyrë tërësisht të njëanshme, ku specifikoj anëtarët e kabinetit qeveritar, përfaqësues të LSI, kanë qenë jashtë diskutimit dhe janë vënë para faktit të kryer, duke u çuar një vendim qarkullues, të cilit nuk i njihen as autorët dhe as ata që kanë dhënë opinionet", thuhet në letrën e Vasilit.
LSI shpreh rezerva edhe për marrëveshjen e 18 majit Rama-Basha, duke insistuar për transparencë përpara opinionit publik.
"Asnjë marrëveshje politike nuk mund të dalë mbi ligjet dhe të justifikojë instalimin e një qeverisje policore e që dhunon të drejtat e liritë themelore të garantuara nga kushtetuta e ligji.
Një situatë e tillë absurde që ka rrënuar besimin e qytetarëve te shteti duhet të marrë fund tani, pasi koha e errësirës ka përfunduar dhe vetëm transparenca e plotë është ajo që pret çdo shqiptar", thuhet ndër të tjera në letrën e Petrit Vasilit drejtuar krerëve të institucioneve, OSBE-së si dhe misionit ndërkombëtar të vëzhguesve të zgjedhjeve.
(Letra e Vasilit drejtuar krerëve të institucioneve dhe OSBE/ODIHR)
Letra e plotë e kryetarit të LSI, Petrit Vasili:
Drejtuar:
Z. Edi RAMA
Kryeministër i Shqipërisë
Z. Adriatik LLALLA
Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë
Për Dijeni:
Z. Bujar NISHANI President i Republikës
Z. Ilir Meta
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Z. Klement ZGURI
Kryetar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve
Z. Peter TEJLER Shefi i Misionit të Monitorimit të Zgjedhjeve OSBE/OHDIR
Z. Bernd Borchardt
Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Misioneve Diplomatike dhe Organizatave Ndërkombëtare të Akredituara në Tirane
Të nderuar zotërinj,
Proçesi zgjedhor i 25 Qershorit 2017 imponon një zbatim rigoroz të ligjeve në fuqi, seriozitetit të funksionimit të shtetit në tërësi dhe qeverisë në veçanti, si detyrim për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe të panjollosura.
Qeveria Shqiptare ka marrë në datën 2 Qershor një vendim që lidhet me Masat dhe * Monitorimin e Veprimtarisë, Sjelljes apo Përdorimit të Burimeve Njerëzore, Financiare apo Logjistike të administratës shtetërore gjatë proçesit të zgjedhjeve të 2017.
Ky vendim nuk është marrë në një mbledhje të Këshillit të Ministrave, dhe është e patolerueshme që ai i referohet një mbledhje e cila nuk ka ndodhior.
Një vendim kaq i rëndësishëm nuk i është nënshtruar asnjë debati qeveritar dhe mundësisë së shprehjes se opinioneve nga Ministrat, por është hartuar e miratuar në mënyrë tërësisht të njëanshme, ku specifikoj anëtarët e Kabinetit Qeveritar përfaqësues të LSI-së, kanë qënë jashtë diskutimit dhe janë vënë para faktit të kiyer, duke u çuar një vendim qarkullues, të cilit nuk i njihen as autorët dhe as ata që kanë dhënë opinionet.
Një mënyrë e tillë, okulte e ftmksionimit të qeverisë, ku përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe sekretarin e përgjithshëm të këshillit të ministrave, hedh hije të forta dyshimi në një moment ku vetëm trsinsparenca, komunikimi i hapur dhe përfshiija e të gjithë aktorëve, janë ato që zgjedhjet e lira e të ndershme presin në Shqipëri.
Fatkeqësisht marrëveshja politike e 18 Majit, në vend të qartësisë e ndershmërisë, prodhoi një komunikim të një anshëm, të mbyllur dhe të errët.
Edhe vetë ky vendim ka kundërvënie serioze e arbitrare me legjislacionin që rregullon zgjedhjet në Shqipëri dhe liritë e të drejtat e njeriut dhe kjo rëndon situatën e krijon të gjitha hapësirat për abuzime të mëdha, të cilat realisht kanë ndodhur dhe evidentimet për to janë bërë gjerësisht publike.
Shkarkimet pa asnjë motiv e provë, duke abuzuar me hapësirat antiligjore të krijuara nga ky vendim, po kompromentojnë ecurinë normale të proçesit zgjedhor, po instalojnë një klimë absurde abuzimi dhe shpërdorimi me pushtetin, e cila ka përkeqësuar klimën politike dhe ka ushqyer indinjatën e thellë të opinionit publik për këto veprime.
Veprime të tilla duhet të ndalen menjëherë.
Të gjitha institucionet shtetërore, duke filluar nga Qeveria dhe të gjitha e organit të zbatimit të ligjit duhet të veprojnë pa asnjë hezitim dhe të ndëshkojnë me të gjithë rreptësinë e ligjit, shkarkimet dhe veprimet e tjera mafioze në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të lirive dhe të garancive të punojësit në detyrë shtetërore.
Autorë të këtyre abuzimeve dhe shpërdorimit me pushtetin të dënueshme qartësisht nga kodi penal dhe ligjet në fuqi, kanë qenë ministra e drejtorë të të gjitha niveleve.
Asnjë marrëveshje politike nuk mund të dale mbi ligjet dhe të justifikojë instalimin e një qeverisje policore e që dhunon të drejtat e liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta eligji.
Një situatë e tillë absurde, që ka rrënuar besimin e qytetarëve të shteti duhet të marrë fund tani, pasi koha e errësirës ka përfunduar dhe vetëm transparenca e plotë ështe ajo që pret çdo shqiptar.
Veprime të tilla arbitrare dhe thellësisht antiligjore të ngjashme me ato të një junte nuk kanë asnjë lidhje me sjelljet e një qeverie demokratike apo besimi siç duhej të ishte kjo qeveri, që është krijuar në kushtet e tronditjes më të thellë të besimit.
Kërkoj reagimin e menjëhershëm dhe ligjor, për rikthimin e normalitetit të cënuar në mënyrë kritike.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com