Shkarkimi i Gledis Nanos, eksperti Hroni: Është provë që policia nuk po reformohet

Shkarkimi i Gledis Nanos, eksperti Hroni: Është provë që policia nuk po reformohet

Gledis Nano

Në Tiranë, qeveria Rama shkarkoi sot drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, për rezultate të pamjaftueshme në detyrë. Ministri i punëve të brendshme, Blendi Çuçi, deklaroi se shkarkimi lidhet me mos-përmbushjen e objektivave, që kishin vënë me drejtorin e përgjithshëm të policisë.

Por eksperti i pavarur, Sotiraq Hroni, pohoi se shkarkimi i zotit Nano është një tjetër provë, që reforma në polici nuk po funksionon dhe se politika ndërhyn shumë në punën e policisë, duke frenuar reformimin e forcave të rendit. Dy ditë më parë në qarqet mediatike të Tiranës u përhap një njoftim se drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Gledis Nano, kishte dhënë dorëheqjen, por ai e hodhi poshtë këtë si të pavërtetë.

Por ajo që nuk ndodhi me dorëheqjen, u realizua sot me shkarkimin e tij. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i punëve të brendshme, Bledi Çuçi, deklaroi se “policia shqiptare ka nevojë për një reagim më të fortë dhe menaxhim më efikas”, dhe se “vendimi i qeverisë për shkarkimin e Nanos lidhet me situatën e krijuar muajt e fundit dhe me mospërmbushjen e objektivave”, që kishin vënë me drejtorin e përgjithshëm të policisë.

Ekspertë të pavarur pohuan se shkarkimi i Nano është një tjetër shembull se reforma në polici nuk po funksionon dhe se politika vazhdon të pengojë reformimin e forcave të rendit, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e tyre profesionale. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim studion prej shumë vjetësh ecurinë e transformimit të forcave të rendit dhe këshillon nga afër reformimin e tyre me standarte bashkëkohore.

Drejtuesi i Institutit, Sotiraq Hroni, tha se shkarkimi i Nanos për mospërmbushje të objektivave nuk qëndron, sepse nuk ekziston një dokument me këto objektiva. Ai tha se politika duhet të heqë duart nga policia, sepse po pengon reformimin e policisë.

“Nuk besoj se ekziston një dokument i bërë publik, me një set objektivash, që qeveria ia vendos drejtorit të përgjithshëm. Kjo nuk ekziston si filozofi as në emërimin e shefave kryesorë as atyre në qarqe. Nuk ka një dokument publik as kur u emërua Nano, që të thuhet se këto kanë qenë objektivat dhe këto nuk u përmbushën” - thotë Hroni.

Hroni thotë se ka shumë ndërhyrje të politikës në punën e policisë, duke e penguar në veprimtarinë e përditshme dhe në reformimin e saj me kritere moderne, me meritokraci dhe sistem karriere në zgedhjen e drejtuesve. Emërimet kryesore në radhët e policisë kontrollohen nga politika, thotë ai aq sa duket një listë e mbyllur që rrotullohet në pak emra për mbi 10 vite.

“Një nga gjërat që unë mendoja se Nano do ta bënte pak më mirë, është të mos riciklohen të njëjtat emra drejtuesish nga 2016 e deri sot. Janë po ata drejtues policorë, i njëti staf dhe kjo nuk sjell ndryshim të madh. Këtë nuk e kuptoj, se si flitet për reforma, dhe mbeten po ata njerëz, që vetëm ndryshojnë vendet” - thotë Hroni.

Ish drejtori Nano nuk ka dhënë ende ndonjë reagim për shkarkimin nga detyra, ndërsa u shënua si një nga drejtuesit më afatshkurtër të policisë, vetëm 10 muaj, ndonëse me një karrierë 20-vjeçare në polici, 5 nga të cilat i ka në krye të strukturave të Antiterrorit.

Ambasada amerikane në Tiranë shprehu vlerësimin për Gledis Nano, i cili, siç thuhet në një postim në rrjetin Twitter, "ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”.

“Ka ardhur koha që policia të reformohet sa i takon emërimeve. Ato duhet të jenë një proces i brendshëm policor. Kandidaturat duhet të vijnë si propozim i vet policisë së shtetit. Emërimi mund të bëhet nga qeveria, por ky emërim dhe më pas shkarkimi duhet të bëhen me mekanizmin check and balance, ngjashëm me shefin e shtabit të ushtrisë dhe me kreun e shërbimit sekret. Kjo është vetëm njëra çështje.

Por ka edhe një mori çështjesh të tjera, që e bëjnë policinë një nga sektorët, që ka më shumë nevojë për reforma të ngjashme me policie vendeve demokratike” - thotë Hroni.

Qeveria emëroi Gledis Nano në tetorin e vitit të kaluar si drejtor të policisë së shtetit, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ardi Veliu. Ai është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, dhe në punën e tij ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Kriminaliteti gjatë sezonit turistik dhe disa krime të rënda javët e fundit nga grupet e krimit të organizuar përkeqësuan gjendjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri./VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tata: 01/09/2022 09:32

    Qeverisja eshte bere tashme shume e dobet,por nuk ka klase politike ne shqiperi,te denje per te bere shtet. Nje shtet duhet te kontrolloje ne radhe te pare se sa zbatohen ligjet qe ben vete,ne te kundert ngelet shtet fantazme,pa fuqi ekzekutuese. Kur kuadri nuk pregatitet te jete eficient,ska rezultate. Kjo do kohe sepse specialistet nuk piqen ne sera por ne pune,nen diell pra. Nuk shoh prespektiva pozitive me nje klase politike te tille,pa moral,pa largpamesi,PA PJEKURI POLITIKE. Shqiperia esht shume e vogel dhe po vete eleminohet nga nje dalldi dallkauke e pa pare jo vetem ne europe e ballkan,por pa gabim mund te them dhe ne vendet me te humbura,duke qene e rrethuar nga kultura mijevjecare e vepra kolosale rrotull nesh. U prehsh ne paqe shqiperi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion