Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, nuk ka shpallur një vendim lidhur me kërkesën për shkarkimin e Kreshnik Hajdarit si kryebashkiak i Kuçovës. Celibashi ka deklaruar se ndodhet në konflikt interesi, ndaj tërhiqet nga vendimmarrja duke krijuar një paqartësi me këtë qëndrim.
“E konsideroj veten në konflikt interesi ndaj tërhiqem nga kjo çështje”, citohet të ketë thënë Celibashi.
Ndërkohë Arben Llangozi përfaqësuesi i ish-kandidatit për kryebashkiak të Kuçovës, Lefter Maliqi, tha se Celibashi duhet të përjashtohet sepse sipas tij, ai ka mbajtur një qëndrim një herë për këtë çështje.
“Ne nuk mund të presim një vendim tjetër nga i njëjti person”, citohet të ketë thënë ai.
Kreshnik Hajdari prej dy vitesh mban funksionin e Kryebashkiakut të Kuçovës, edhe pse rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në korrik 2024 nga GJKKO, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Më 23 qershor të vitit 1999, Hajdari është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, ai ishte 17 vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit, por këtë dënim nga Gjykata e Janinës, nuk e kishte deklaruar.
Më 14 maj Maliqi i kërkoi KQZ-së që të shkarkojë kryebashkiakun aktual Kreshnik Hajdari. Në një prononcim për mediat Maliqi paralajmëroi se do ta dërgojë çështjen në Kolegj Zgjedhor e deri në Prokurorinë e Posaçme me kallëzime të reja.
Komente






