Besfort Lamallari nuk ishte mjaftueshëm politik për të vijuar të drejtonte Ministrinë e Brendshme, thotë gazetari Ermal Peçi në një lidhje direkte me Report TV. Sipas tij, kryeministri Edi Rama ndodhet përpara zgjedhjes dhe protestës, ndaj vendosi të bënte një lëvizje politike.
Propozimi i Ervin Demos si ministër i Brendshëm dhe kalimi i Pushtetit Vendor brenda këtij dikasteri, e komenton si mekanizëm ndryshe të kryeministrit për të qenë “kryefjalë” duke dalë nga parashikimi se ndryshimet bëhen gjatë Asamblesë së PS.
“E them me bindje që kjo lëvizje bëhet për të vetmen arsye që Lamallari nuk ishte politik sa duhet. Duke qenë se po afrohen zgjedhjet, po përballet me një protestë mbi 104 ditë para kryeministrisë, i duhej një njeri politik. Demo e ka treguar që ka rrënjë më të forta dhe vokacion më të fortë sesa Lamallari. Mendoj që është lëvizje politike”, tha Peçi.
Ministria e Brendshme është institucion po aq i rëndësishëm sa Kryeministria dhe Ministria e Mbrojtjes, thotë Peçi, por “mund të hajë shumë koka” për shkak të pushtetit dhe informacioneve që zotëron.
“Në Ministrinë e Brendshme shpeshherë bëhen shumë kurbanë për shkak të kontekstit dhe informacioneve të shumta, pushtetit që delegon dhe do të hajë shumë koka, sidomos në një shoqëri që nuk ka institucione të forta demokratike. Loja do të hajë gjithmonë atë që ka ose rrezikon të mbledhë më shumë informacion. Nëse nuk është njeri i intrigave e klaneve, nuk do të zgjasë shumë në atë dikaster”, tha gazetari.
Takimet e deputetëve me qytetarët në kuadër të “Pranisë Besnike”, Peçi i sheh si qasje të prapambetur. Ajo që vërtet nevojitet janë institucione funksionale, shton ai dhe deputetë që hartojnë strategji dhe nuk mbajnë shënime.
Sipas gazetarit, një kontekst i “Pranisë Besnike” mund të jenë zgjedhjet pasi qytetarët do t’u binden deputetëve që “u zgjidhin problemet.”
“Nuk ka nevojë për prani besnike, ka nevojë për administratë të përgjegjshme dhe e dimë shumë mirë që administrata është e politizuar. Kjo është për ta larguar vëmendjen. Nuk ka pse deputeti të mbajë hallet tona përditë, por të krijojë projektligje që të na ulë çmimi i shportës, të mos na ikë gati 40% e rrogës me ushqime, 30% me qira dhe 10 apo 20% me drita, ujë e shërbim tjetër. Deputeti ka detyrë të krijojë strategji zhvillimore, nuk është asistent. Ne kërkojmë institucione të forta që na i zgjidhin gjërat, as individët. Institucionet duhet të kenë mekanizma rregullues, nuk kemi pse të shkojmë ne. Nuk ka gjë më të neveritshme për një njeri që ka dinjitet të shkojë t’i ankohet një deputeti që nuk i zgjidh asgjë pjesën më të madhe të kohës dhe kur ia zgjidh, i thotë hajde pas meje. Më duket e prapambetur kjo qasje”, përmbyll Peçi.








Komente
Komento