Pjesë e diskutimeve të Komisionit hetimor ishte zgjedhja e ekspertëve dhe për të dhënë në fund vlerësimet e tyre. Anëtarët kërkuan që në komision të ishin dy ekspertë, ndërsa një pjesë vlerësuan emrin e Erind Mërkurit. Anëtari Spartak Braho tha që Komisioni të mos nxitohet pasi ekspertët duhet të jenë me tituj të vlerësuar, pasi një ekspertizë e keqe mund të 'varrosë' të gjithë hetimin. Ndërkohë që Komisioni vendosi që seancën e radhës të sillet një listë me emra të ekspertëve nga anëtarët e komisionit për të bërë caktimin e tyre.
Vasilika Hysi: Propozoj të kem edhe ekspertë. Mendoj të diskutojmë për numrin e ekspertëve, të jenë një ose dy. Do doja të thoja dy fjalë për ekspertin, Erind Mërkuri. Është pedagog në Universitetin e Tiranës, mban dragën shkencore Doktor, ka një aktivitet të gjerë në fushën e të drejtës kushtetuese, është njohës shumë i mirë i praktikës së Gjykatës Kushtetuese, por edhe i Gjykatës së Strasburgut, por edhe i praktikës së Komisionit të Venecias. Është angazhuar nga Kuvendi hera herës në çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë. Ka një veprimtari shumë të gjerë kërkimore në këtë fushë.
Alket Hyseni: Edhe unë e njoh ekspertin, i njoh punën, besoj që është i denjë për të qenë ekspert i këtij komisioni. Sekretaria të shpërndajë tani CV e ekspertit.
Spartak Braho: Të nderuar kolegë, procedura e ekspertimit të shkeljeve që pretendohet se ka kryer President është momenti më i rëndësishëm i këtij komisioni. Të mos nxitohemi. Pjesa dërrmuese e këtyre anëtarëve e dinë ç’do të thotë një ekspertizë e mirë apo e keqe. Një ekspertizë e mirë të hedhë matanë, një ekspertizë e keqe të varros. Ky komision gjykon nëse ka shkelur apo jo Presidenti rëndë Kushtetutën, që do të thotë që ne të përballemi me interpretimin e Kushtetutës, të shumë akteve të tjera të Gjykatës Kushtetuese me interpretimin e tërë vendimeve, dhe fjalët e ekspertëve janë përfundimi i punës sonë. Ekspertët duhet të kenë nivel të lartë profesional, sepse po gjykojmë Presidentin. Nuk kam vërejtje për shokët, se nuk i njoh, janë çuna të rinj, unë jam i kohës kur thërrisnim ekspert Luan Maron, por ky tani është plakur. Do të mendoja që si ekspertë përveç emrit që përmendët, që arrin deri te Doktor, ndërkohë që neve na duhen Profesorë këtu me tituj, unë do të them pse të mos jetë edhe Viktor Bumi. Nuk e kam marrë mendimin e tij, por unë do ta propozoja. Duke e njohur nga afër, vlerësimin dhe cilësitë e tij, them se ka një lloj paanshmërie. Them të mos e vendosim sot punën e ekspertëve, të shohim e të lexojmë emrat, të lexojmë biografinë e tyre dhe e votojmë ditën e premte. Na duhet një listë me disa emra. Unë do të gjykoja, bazuar në materialin që kemi, të tëra akuzat ndaj presidentin, pjesa dërrmuese e tyre janë të pasqyruara në materiale filmike, prononcimet e tij dhe të medias së shkruar, do të kërkoja që këto materiale të transkriptohen, nuk shkon. Unë jam marrë me të tilla ekspertime. Po t’i kemi të transkriptuara është edhe më serioze për komisionin. Ne kemi ekspertë shumë të mirë. Nëse këtë logjikë e pranoni, unë mund të ofroj edhe ekspertin apo grup ekspertësh për këtë punë.
Lajmi kryesor: