Tri përballjet e Berishës me drejtësinë - Si i shpëtoi arrestimit në ’98-n dhe tri orët e izolimit në policinë e Tiranës në vitin 2000

Tri përballjet e Berishës me drejtësinë - Si i shpëtoi arrestimit në ’98-n dhe tri orët e izolimit në policinë e Tiranës në vitin 2000

Sali Berisha

Si i shpëtoi arrestimit në ’98-n dhe tri orët e izolimit në policinë e Tiranës në vitin 2000; Kur parlamenti diskutonte për heqjen e imunitetin dhe procesverbali i Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi ku kërkonte arrestimin e Berishës

Prej 30 dhjetorit 2023, Sali Berisha, i mban fjalimet e tij nga ballkoni i banesës sepse është nën arrest shtëpie, me vendim të strukturës së posaçme SPAK. Berisha akuzohet për korrupsion për privatizimin e ish kompleksit Partizani. Në kampin e rithemelimit pritet me shpresë lirimi i tij sepse Berisha është ende lider i tyre edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada në krye të PD-së.

Ndoshta përsëritet skenari i shumë viteve më parë kur Berisha ishte në prag arrestimi por për shkak të marrëveshjeve nëpër korridoret e errëta të politikës do ti shpëtonte drejtësisë.

Do të sjellim në kujtesë kohën kur parlamenti votonte kërkesën e prokurorit të përgjithshëm për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Berishës. Në një shkresë zyrtare, Prokurori i Përgjithshëm i kohës, Arben Rakipi, i kërkonte kuvendit të hiqte imunitetin Berishës i akuzuar për grusht shteti në ngjarjet e 14 shtatorit 1998, dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdari, kur turma e protestuesve të opozitës sulmoi institucionet shtetërore.

Pas kësaj ngjarje, prokurori Rakipi dërgoi shkresën në kuvend dhe u mblodh komisioni i mandateve dhe imunitetit për të vendosur për Berishën. Debati në seancën e 17 shtatorit jep detaje se si Berisha i shpëtoi arrestimit, pasi parlamenti refuzoi të përfshihet në kërksën e dytë të prokurorisë, ku kërkohej vota e kuvendit për arrestimin e Berishës.

Pjesë nga debati parlamentar 17.09.1998

Skënder Gjinushi, kryetar i Kuvendit: Sot në rendin e ditës kemi për të dëgjuar raportin e Komisionit të Mandateve, të Imunitetit e të Rregullores lidhur me heqjen e imunitetit deputetit të Kuvendit Popullor, zotit Sali Ram Berisha.

Në emër të komisionit raportin do ta mbajë zoti Spartak Braho, kryetar i këtij komisioni.

Spartak Braho:

V E N D I M

I. Komisioni i Imunitetit, i Mandateve dhe i Rregullores, i mbledhur sot,  më datë 17.09.1998 në orën 12.00,  në prani të 7 (shtatë) anëtarëve të komisionit (4 anëtarë munguan pa arsye), pasi shqyrtoi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit deputetit Sali Ram Berisha, vëren se:

Me shkresën nr.1425, datë 14.09.1998 Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit Popullor dhënien e lejes për fillimin e çështjes penale,  heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit Sali Ram Berisha.

Në relacionin shpjegues të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shpjegimet që ai dha në prani të anëtarëve të komisionit konstatohet se: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë ka filluar procesin penal për kryerjen e krimit të kryengritjes së armatosur,  parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal,  ndodhur në datat 13 dhe 14 shtator 1998 në Tiranë.

Sipas provave të grumbulluara nga organi i prokurorisë, ku përfshihen kasetat filmike,  procesverbalet e pyetjes së dëshmitarëve,  incizimet,  intervistat në media dhe deklaratat,  rezulton se një numër institucionesh kryesore të shtetit dhe objekte prone private janë sulmuar me dhunë, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues.

Sipas provave të paraqitura nga organi i prokurorisë, rezulton se:

Në datat 13 dhe 14 shtator 1998, duke përfituar nga ceremonia mortore e ish­-deputetit Azem Hajdari,  Partia Demokratike dhe kryetari i saj,  deputeti Sali Berisha, si edhe persona të tjerë kanë bërë thirrje për përdorimin e dhunës,  kanë nxitur qytetarë të ndryshëm për armatosjen e tyre, me synim pushtimin me forcë të rezidencave qeveritare për përmbysjen e rendit kushtetues.

Nga zhvillimi i ngjarjeve të paraqitura nga Prokurori i Përgjithshëm është arritur në përfundimin se, përveç synimit për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues,  janë kryer edhe një sërë plaçkitjesh në rezidencat kryesore të shtetit,  janë goditur me armë të lehta dhe të rënda forcat e ruajtjes së rendit,  të policisë dhe të gardës, si edhe personat zyrtarë që punonin në këto institucione, një pjesë e të cilëve dhe janë keqtrajtuar fizikisht.

Njëkohësisht, rezulton se Prokurori i Përgjithshëm paraqiti prova të mjaftueshme lidhur me sulmin ndaj RTSH-së,  pushtimin e tij nga grupe të armatosura njerëzish, militantë të PD-së, të shoqëruar nga funksionarë dhe ish-funksionarë të kësaj partie me synimin e dhënies së kushtrimeve për dhunë e luftë, për përhapjen e shpifjeve e dizinformacioneve, gjë e cila është orientuar edhe nga selia e PD-së mes fakseve dërguar në RTV pas pushtimit të tij.

Lidhur me rolin nxitës dhe organizator të kësaj kryengritjeje të armatosur nga deputeti Sali Berisha, komisioni krijoi bindjen se ky rol ka qenë një vijë sjelljeje e tij gjatë gjithë kohës para datave 13 dhe 14 shtator, si edhe në vazhdim,  kur ende rezulton se në selinë e PD-së ekziston një grup i armatosur njerëzish, tek të cilët, megjithëse u bëhet thirrje për dorëzim, nuk ka shënja të ndryshimit të qëndrimit.

Argumentet e mësipërme, na krijojnë bindjen se deputeti Sali Berisha, i cili akuzohet për veprën penale të organizatorit të kryengritjes së armatosur,  parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal, nga organi i prokurorisë, duhet të përgjigjet penalisht për veprën e mësipërme dhe, duke qenë se krimi i mësipërm, për të cilin akuzohet, është me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe kombëtare për rendin kushtetues dhe se vetë i akuzuari paraqet rrezikshmëri shoqërore të theksuar, çmohet se atij duhet t’i hiqet imuniteti parlamentar, për t’i lënë rrugë të lirë organit të prokurorisë të kryejë hetimet dhe e autorizon atë që të fillojë procedim për deputetin Sali Berisha.

Lidhur me kërkesën e prokurorit për masën e sigurimit, dhënien e lejes për arrestimin e deputetit Sali Berisha, komisioni çmon se kjo kërkesë nuk duhet votuar nga ky komision me arsyet se : 

-Zgjidhja e kësaj kërkese është atribut ligjor i organit të prokurorisë dhe gjykatës, mbështetur dhe bazuar në vendimin nr.10, datë 10.8.1993 të Gjykatës Kushtetuese, e cila në interpretim të nenit 20 të Ligjit Kushtetues, ka argumentuar se "Kur Kuvendi Popullor jep autorizim për procedim penal të një deputeti, nuk është e nevojshme që Prokurori i Përgjithshëm të kërkojë nga Kuvendi Popullor autorizim të veçantë për arrestimin e deputetit ndaj të cilit ka filluar procedimi penal".

Në këto rrethana komisioni çmon se:

-Janë vetë organet e drejtësisë tërësisht kompetente që të vendosin për kërkesën e saj,  arrestimin e deputetit Sali Berisha, duke u lënë këtyre organeve rrugë të lirë. Për sa më sipër, komisioni, bazuar në nenin 22 të Dispozitave Kryesore Kushtetuese, miratoi me unanimitet të plotë kërkesat e Prokurorit të Përgjithshëm për dhënien e autorizimit organit të prokurorisë për ndjekjen penale ndaj deputetit Sali Berisha për krimin e parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal,  si edhe për heqjen e imunitetit parlamentar.

II. Lidhur me kërkesën nr.1425/1,  datë 14.9.1998 për fillimin e procedimit penal, heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetëve: Vili Minarolli, Pjetër Arbnori, Shaban Memia, Jemin Gjana dhe Leonard Demi, deputetë të Kuvendit Popullor, komisioni gjykoi se:

-Kjo kërkesë duhet t’i kthehet organit të prokurorisë, pasi nuk është e plotë dhe meqenëse ligji penal dhe procedural kërkon përgjegjësinë individuale penale për çdo deputet të akuzuar, gjë për të cilën edhe vetë Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se është i gatshëm ta pranojë këtë kthim si parregullsi për t’i paraqitur përsëri pranë këtij komisioni kërkesat në mënyrë individuale.

Për këtë arsye, komisioni vendosi që t’i propozojë Kuvendit Popullor t’ia kthejë këtë kërkesë Prokurorit të Përgjithshëm me orientimin për ta risjellë të riformuluar me akuzat përkatëse individuale.

Në përfundim, komisioni përcjell për shqyrtim në seancë plenare propozimet përkatëse në relacionin e mësipërm. Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit, nga 113 deputetë që morën pjesë në votim, 108 prej tyre votuan pro për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha dhe dhënien e autorizimit për ndjekje penale.

Skënder Gjinushi: Nga prokuroria pati dy kërkesa, por nga Kuvendi u dha pëlqimi vetëm për heqjen e imunitetit për të lejuar ndjekjen penale,  ndërsa masën e arrestit e vlerëson prokuroria.

Me kaq e mbyllim seancën e sotme”.

Prokuroria nisi hetimet por Berisha nuk u arrestua, madje ai refuzoi çdo kërkesë të prokurroisë për tu marrë në pyetje.

Tensionet politike vazhduan për ditët, javët e muajt në vazhdim por Berisha i shpëtoi arrestimit. Dy vite më vonë do të ishte Ilir Meta, që do ta çonte Berishën në izolim. Në atë kohë, pra në vitin 2000, Ilir Meta ishte kryeministër. Në nëntor të atij viti në Tropojë ndodhi një përplasje mes policisë dhe protestusve.

Meta urdhëroi vartësit të dërgojnë në Tropojë një kontigjent të forcave speciale RENEA për të frenuar protestuesit. Ndërkohë ishin arrestuar disa protestues dhe turma iu drejtua komisariatit për lirimin e tyre. Në atë përplasje, pati shkëmbim zjarri ku mbeti i vrarë nje person dhe u plagosën 30 të tjerë.

Ilir Meta akuzoi Berishën si autor të kësaj përplasje dhe urdhëroi shoqërimin e tij në polici. Kështu, RENEA zbarkoi në selinë e PD  dhe në këtë aksion u angazhuan drejtori i Policisë së Shtetit, Bilbil Mema, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit. Berisha refuzoi urdhrin e drejtorit të policisë që të dilte nga makina e tij. Forcat RENEA zbritën me forcë shoferin e Berishës nga makina dhe një prej tyre mori drejtimin e automjetit për ta çuar Berishën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku u mbajt për 3 orë.

Disa vite më vonë, Berisha do ta kishte aleat kryesor Ilir Metën në bashkëqeverisje, një aleancë mes tyre që vazhdon edhe sot në opozitë./ Tema

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic