Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë një takimi me banorët në Lushnje, ku prezantoi kandidaten për bashki, Eriselda Sefën nuk i ka kursyer ironitë në drejtim të Ilir Metës, Sali Berishës si edhe ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Balla u shpreh se Berisha tashmë është futur në "shtëpinë e Ilirit", duke ironizuar kështu koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’.
“Ata që kanë mbështetur PD-në, ata nuk e gjejnë më veten as tek Saliu që ka hyrë tek shtëpia e Ilirit, as tek Luli që ka vjedhur shtëpinë e Saliut, sipas asaj që thotë vetë Saliu. Të dy janë të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me të shkuarën. Unë nuk dua që demokratët e Lushnjes të japin votën. Këto zgjedhje në 6 mars, Ilir Meta i thirri jo për të respektuar Kushtetutën, se sipas rregullit zgjedhjet do ishin bërë verën e vitit të kaluar. Këto zgjedhje u thirrën për të parë se sa vota ka Saliu dhe Iliri bashkë, dhe sa ka Luli se di me kë do jetë. Unë e them troç. Nuk krahasohen dot kurrë punët që ka bërë PS, me ato që kanë bërë ato që nuk ekzistojnë. Këtë fushatë do e shfrytëzojmë. Sot jemi në dy lagje të rindërtuara të Lushnjës. Duhet të trokasim çdo derë. Duhen mbajtur shënim të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve lushnjarë. Unë kam kritikat e mia për punët që duhen bërë në Lushnje", tha Balla.
Teksa pritet vendimi i Kushtetutës për të shkarkuar apo jo presidentin Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ritheksoi edhe një herë nga Lushnja se presidenti ka probleme me leximin e Kushtetutës dhe pikërisht për këtë Kuvendi e ka shkarkua, por që vendimmarrja i takon Kushtetueses. Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Balla u shpreh se beteja e PS është transformimi i Lushnjes, ndërsa beteja e Ilir Metës dhe Sali Berishës është me Lulzim Bashën.
“Kemi ardhur bashkë me Eriseldën për një takim në këtë pjesë të rëndësishme të qytetit të Lushnjes ku Partia Socialiste ka gjetur një mbështetje të madhe dhe gjej rastin t’ju falenderoj edhe në emër të Edi Ramës për mbështetjen që dhatë edhe në zgjedhjet e 25 prillit. Zgjedhjet tashmë po bëhen vit pas viti, duke rizhvilluar zgjedhjet vendore për një mandat të shkurtër 1-vjeçar edhe pse Presidenti i Republikës duhet t’i kishte thirrur këto zgjedhje në korrik apo në gusht të vitit të kaluar, por ju e dini që presidenti ynë ka probleme me leximin e Kushtetutës dhe kuvendi ynë ka vendosur ta shkarkojë, por kjo vendimmarrje i takon Gjykatës Kushtetuese. Unë kërkoj votëbesimin tuaj për një kandidate tepër të mirë për shkak të eksperiencës së saj në qeverisjen vendore, për shkak të eksperiencës në menaxhimin e financimeve të huaja dhe 16 viteve në nivelet e qeverisjes vendore e bëjnë Eriseldën kandidaten e duhur për të punuar apo transformuar më tej Bashkinë Lushnje me të gjitha investimet publike që kjo bashki ka nevojë. Këto janë zgjedhje të cilat Sali Berisha dhe Ilir Meta i thirrën, jo për t’u përballur me ne sepse me ne e dinë si dalin por për t’u përballur me Lulzim Bashën sepse secila prej tyre duhej thirrur ne kohën e duhur. Në Shkodër zgjedhjet duheshin thirrur në gusht të 2019-ës dhe nuk u thirrën. Përse? Pra kjo lë vend për dy beteja, beteja jonë për të transformuar Lushnjen dhe beteja e Saliut dhe Ilir Metës me Lulzim Bashën. Kërkojmë votëbesimin tuaj, t’i japim mundësinë Eriseldës të fillojmë të bëjmë punë të cilat kanë kohë që presin, këtu tek ju dhe në të gjithë Bashkinë Lushnje. Prandaj nuk duhet ta humbasim këtë moment, pasi kundërshtari ynë nuk janë kandidatët e Lulit, Saliut apo Ilirit por thirrja ime është që të kemi sa më shumë pjesëmarrje në 6 mars. Është e dukshme që Partia Socialiste me Eriselda Sefa do t’i fitojë këto zgjedhje. Rezultati i këtyre zgjedhjeve ka shumë rëndësi që unë ta kem më të lehtë që në ditën e mësuesve në 7 mars apo 8 mars t’i kërkojmë Edi Ramës më shumë mbështetje për Lushnjen. Lushnja ka dhënë shumë dhe nuk ka marrë atë që ka merituar nëse do e shohim në shumë aspekte: Është Bashkia e shtatë më e madhe në Shqipëri. Pozicioni gjeografik kyç, kudo që të shkosh duhet të kalosh në Lushnje. Ndaj për këtë arsye dua që të jemi të gjithë bashkë në datën 6 mars, t’i japim kësaj vajzës votëbesimin për të drejtuar Bashkinë e Lushnjes,” tha Balla.