Kelmend Balili është shkarkuar nga detyra e Drejtorit Rajonal të Shërbimit të Transportit Rrugor në Sarandë.

Vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTR) pranë Ministrisë së Transporteve.

Vendimi është firmosur nga kreu i DPSHTR, Ylli Spahiu.
 
Përmes një deklarate për mediat, DPSHTR tha se shkarkimi është bërë pas marrjes së shkresës nga Policia se ndaj Balilit kanë nisur hetimet.
“E shkarkuam para pak minutash sapo morëm shkresën zyrtare të Policisë së Shtetit që na vuri në dijeni se ndaj këtij punonjësi kanë nisur hetimet. Nuk mbrojmë askënd që shkel ligjin”, thuhet në deklaratën e DPSHTR. 
 
Lajmin e konfirmoi edhe Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili u shpreh se shkarkimi i Balilit u bë për t’i hapur rrugë hetimeve ndaj tij.
 
"Në dijeninë time personi është shkarkuar sot për t’i dhënë hapësirën e nevojshme gjithë organeve të hetimit, që janë të lira ta hetojnë personin si qytetar i lirë. Shkarkimi është minimumi që mund të ndodhë për një zyrtar publik që përflitet, pavarësisht se nuk ka një akuzë penale ndaj tij, pavarësisht se nuk ka një hetim dhe askush nuk e ka thirrur për asgjë, por mjafton edhe kaq që ai zyrtar të mos jetë në detyrën publike dhe me informacionin që kam ai është shkarkuar nga detyra", u shpreh Manjani. 

Kelmend Balili akuzohet nga autoritet greke se drejton një organizatë të trafikut ndërkombëtar të drogës. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com