TIRANË- Qeveria ka pasur kritika për mënyrën se si ka funksionuar qyteti i Shkodrës në periudhën e pandemisë globale COVID-19, por që nuk janë reflektuar me një zgjidhje nga ana e pushtetit vendor, për këtë arsye është shkarkuar ditën e sotme nga detyra prefekti Çesk Millja. Në vendin e tij është emëruar zv. ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, për të cilin ministri Sandër Lleshja tha se është tregues se sa vëmendje i kushton qeveria gjendjes së qarkut të Shkodrës. Lamallari nisi menjëherë nga puna, ku pasditen e sotme zhvilloi një takim me drejtuesin e policisë së qytetit, Niko Brahimaj dhe kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi, në fokus të së cilit ka qenë masat parandaluese kundër COVID-19.

5 ditë pas vitizës së tij në Shkodër, Lleshaj tha në daljen për mediat mesditën e kësaj të shtune, se në këtë qark është konstatuar një mungesë lidershipi, jo vetëm nga drejtuesit e Bashkisë, por edhe në institucionet e tjera vendore, që janë bërë më evidente gjatë kësaj situate ku vendi është në kohë “lufte”. E pikërisht, mungesa e vendimmarrjes për menaxhimin e situatës, sqaron ministri,  është arsyeja e vendimit për lirimin nga detyra të Prefektit të Qarkut Shkodër.

"Këshilli i Ministrave me vendim të sotëm, ka vendosur lirimin nga detyra e Prefektit të qarkut Shkodër të zotit Çesk Millja. Vendimi është marrë në kuadër të përpjekjeve për një mbështetje më të madhe nga ana e Qeverisë për Shkodrën në tërësi dhe sidomos për mbështetjen e masave për tejkalimin e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19. Nëse ne kemi shprehur rezerva deri tani për gjendjen në Shkodër, kjo nuk do të thotë që të gjithë vërejtjet kanë qenë e adresuar vetëm tek Bashkia. Ne mënyrën se si kane funksionuar apo nuk kane funksionuar gjerat ne Shkodër kane ndikimin e tyre edhe drejtues të caktuar degëve territoriale në qark si dhe vetë Prefekti të qarkut si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë atje", tha Lleshaj. 

Çesk Millja

Shkodra ka qenë një nga qytet më problematike sa i përket mosrespektimit të masave të vendosura, që më pas u reflektua edhe në numrin e të prekurve, ku brenda një kohe të shkurtë pati një shpërthim të të infektuarve me COVID-19. Për këtë situatë, thotë ministri i Brendshëm, askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe askush nuk ka marrë masat për ta ndryshuar dhe ky mosveprim për një kohë të gjatë, vijon Lleshaj, do të sillte pasoja të paparashikueshme.

"Për fat të keq, gjatë kësaj periudhe të pandemisë, është vërejtur një inerci burokratike e pa pranueshme, një hezitim për të marrë përsipër përgjegjësi dhe mungesë e lidershipit, aq të domosdoshëm, sidomos në situata të tilla, kur drejtuesit duhet të marrin përsipër përgjegjësi për vendime  për të cilat jo domosdoshmërisht ekziston ndonjë praktikë e konsoliduar më parë. Situata të tilla kërkojnë iniciativë dhe vendimmarrje. Çdo drejtues vihet përballë situatave të panjohura dhe përballë vendimmarrjeve ndonjëherë të pasigurta. Hezitimi për të vepruar dhe për të vendosur, mund të sjellë shkaktojë mosveprimin i cili sjell pasoja të paparashikueshme.  Mungesa e vendimmarrjes për menaxhimin e situatës është arsyeja e vendimit për lirimin nga detyra të Prefektit të Qarkut Shkodër", vijoi Lleshaj

VIDEO/Fjala e plotë e ministrit Lleshaj

Zv. ministri Besfort Lamallari do të ketë si detyrë jo vetëm institucionin e Prefektit dhe strukturat e degëve territoriale, por edhe gjithë kapacitetet e Ministrisë së Brendshme dhe të strukturave të tjera qendrore në funksion të menaxhimit të situatës në Shkodër.

“Për të menaxhuar me efikasitetin më të lartë situatën në Qarkun e Shkodrës, qeveria ka vendosur të ngarkojë me detyrën e koordinimit dhe të drejtimit të përpjekjeve të gjithë degëve territoriale të qeverisjes në këtë qark zëvendësministrin e Brendshëm z. Besfort Lamallari. Krahas kësaj, z. Lamallari do të ketë detyrën e koordinimit dhe bashkëpunimit  me kryetarët e bashkive, në interes të daljes sa më të shpejtë dhe më të lehtë nga gjendja e pandemisë. Sigurisht që komandimi i një zëvendësministri në këtë funksion kaq të rëndësishëm, është shprehje e rëndësisë që Qeveria i kushton administrimit të gjendjes në tërësi e posaçërisht në Shkodër. Z. Lamallari do të ketë në dispozicion të tij jo vetëm institucionin e Prefektit dhe strukturat e degëve territoriale, por edhe gjithë kapacitetet e Ministrisë së Brendshme dhe të strukturave të tjera qendrore në funksion të menaxhimit sa më të mirë të situatës në Shkodër”, tha Lleshaj.

Shkodra renditet e dyta pas Tiranës, për numrin më të lartë të të infektuarve në Shqipëri.  Deri më tani janë raportuar 52 raste dhe 1 viktimë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
Ademi mban shënime... Lamallari nis punën si prefekt i Shkodrës, ndan detyrat për masat kundër COVID-19

Vetëm pak orë pasi u emërua si prefekt, zv. ministër i Brendshëm Besfort Lamallari ka zhvilluar takimin e paë me kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi, drejtuesin e Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj dhe Sekretarja e Përgjithshme e Institucionit te Prefektit. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja raporton se në fokus të takimit kanë qenë masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, për të cilat ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se qeveria ka pasur shumë kritika, që nuk ishin reflektuar nga drejtuesit. Më konkretisht mësohet se u trajtuan problemet e mirëmenaxhimit të tregjeve, pajisja e tuneleve të dezinfektimit dhe vetkarantinimit të komunitetit në veçanti në Bashkine Shkodër, në të cilën u morën përsipër përgjegjësitë e secilit institucion.