Pas denoncimit në Report Tv të ndotjes së lumit Osum nga fabrika e lëkurës në fshatin Vodicë, Agjencia Rajonale e Mjedisit Berat ka pezulluar aktivitetin e saj dhe po ashtu e kanë gjobitur me 500 mijë lekë.

Bëhet me dije se Agjencia Rajonale e Mjedisit ka ushtruar kontrolle të befasishme në fabrikë, ku është konstatuar se i shkarkonte ujëra teknologjik pa i trajtuar më parë në impiantin e trajtimit të ujërave.

Kanali i ujërave të dala nga aktiviteti i subjektit, shkarkoheshin drejtpërdrejtë në përroin e Vodicës. Aktiviteti i fabrikës do të jetë i pezulluar deri në vënien në funksionim të Impiantit të Trajtimit të Ujërave Teknologjikë.

Report Tv denoncoi ndotjen e lumit Osum nga fabrika, ku mbetjet shkarkoheshin gjatë natës në lumë, ndërsa banorët u ankuan se përpos aromës së keqe, uji është i dëmshëm për bujqësinë e blegtorinë.