Policia italiane ka goditur një grup të strukturuar shqiptarësh që merrej me trafik dhe shitje kokaine mes Italisë dhe Shqipërisë. Operacioni u krye nga Drejtoria e Antimafias në Milano.
Personat e arrestuar dyshohet se ishin organizatorë dhe pjesë aktive e një grupi kriminal që shpërndante kokainë në mënyrë të vazhdueshme. Hetimi ka zbuluar më shumë se 1 mijë raste shitjeje, pa ndërprerje oraresh, me një xhiro që arrinte në disa qindra mijëra euro.
Sipas mediave italiane, grupi kishte disa baza për ruajtjen dhe përgatitjen e drogës, makina për transport, telefona të enkriptuar për komunikim dhe numra të regjistruar në emra personash të tretë. Çdo anëtar kishte rol të përcaktuar.
Kreu i dyshuar i grupit, një 34-vjeçar shqiptar, u gjet në Milano, në banesën e tij në via Veglia, ku ndodhej në masën e “punës në komunitet” pas një arrestimi në flagrancë në tetor 2022, kur iu gjet rreth gjysmë kilogrami kokainë.
Një tjetër i dyshuar, 33 vjeç, u lokalizua në Guidonia Montecelio, pranë Romës, ku po vuante arrest shtëpie pas një ndalimi në korrik 2022 me 150 doza kokaine.
Dy të dyshuarit e tjerë, 33 dhe 34 vjeç, u arrestuan në Shqipëri pas zgjerimit të kërkimeve në nivel ndërkombëtar, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e rrjetit.
Komente







