Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas ka vështirësuar qarkullimin e qytetarëve. Pavarësisht qëllimit për të cilin u duhet të lëvizin, vështirësia është emëruesi i përbashkët.

“Jam mësues, punoj mësues. Kam ardhur përditë në punë. Është pak e vështirë”, thotë një mësues.

Një nxënëse i është rikthyer shkollës pas një jave.

“Dje ishte dita e parë që shkova në shkollë për këtë javë. Nuk kisha nga kaloja. Banoj në Spathar, Gurëkuqe, por është shumë e vështirë”, thotë nxënësja.

“Mjerë ne të varfrit! Për moshën time është e vështirë, por ç’të bëjë xhaxhi? Më doli si kur shkoja në mal në Greqi në këmbë, por këtu në Shqipëri. Jam nga Prrenjasi, po vij nga Librazhdi se kisha vëllanë shtruar në spital, ika e pashë”, thotë një i moshuar që ka udhëtuar 4 orë.

Edhe një tjetër qytetar nuk e fsheh frustrimin.

“Vuajnë njerëzit e shkretë, kanë halle, kanë për të shkuar në spitale. Jam nga Xhyra. Duhet t’i biesh nga Dardha e këtej, 4 orë. Kjo rrugë ka vite që s’ka luajtur. E gërmuan lumin, i morën të gjitha inertet dhe iku i gjithë vendi. Vuajnë njerëzit e shkretë, këta s’duan t’ia dinë fare”, thotë ai.


Lajmi kryesor:

Juglindja 6 ditë në izolim/ Shembja në aksin Librazhd-Prrenjas ‘preku’ dhe Korridorin VIII! ARRSH: Studim gjeologjik, mund të rishikohet projekti (VIDEO)