TIRANË - Arrestohet për shkelje të rregullave të qarkullimit, tani dyshohet se është një nga babagjyshët që kreu grabitjen në qendrën tregtare TEG.

Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se, Klodian Koka, 18 vjeç, banues në Kodër-Kamzë është arrestuar gjatë natës nga efektivët e Komisariatit numër 6, pasi ishte drejtuar makinën pa lejen e qarkullimit.

Por gjatë kontrollit të mëtejshëm të ushtruar në makinën e tij, policia mësohet se ka gjetur një maskë babagjyshi të Krishtlindjeve, identike me ata që mbanin grabitësit e argjendarisë në TEG.

Menjëherë pas kësaj kanë nisur edhe hetimet intensive për të parë nëse ai është i përfshirë në grabitjen e ndodhur në datën 24 dhjetor 2013.
 
NJOFIMI I POLICISË PËR ARRESTIMIN E KLODIAN KOKËS
“Më datë 02.01.2014, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  Klodian Agim Koka 18 vjeç, banuese në Insitut Bujqësor Kodër Kamëz Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, pasi në vendin e quajtur mbikalimi tek Casa Italia në Kthesa e Kamzes,  Patrulla e Përgjithshme e Komisarjatit Policisë nr.6 Tiranë, ka ndaluar në drejtimin e automjetit tip “Renault Clio”, me ngjyrë e bardhë, me targa AA 597 BM, pa lejen përkatëse të drejtimit,” ka bërë të ditur sot Policia e Tiranës.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)