Në një deklaratë zyrtare për shtyp, KLSH bën me dije se zyrtarët janë vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit, vendosjen e kritereve përjashtuese dhe favorizim të operatorëve ekonomikë.
Gjatë auditivit në Bashkinë Berat u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në 20 procedura prokurimi, lidhur me përcaktimin e kritereve për kualifikim si dhe vlerësimin e ofertave ekonomike, me dëm ekonomik në vlerën 3.8 milionë lekë.
Në komunën Buçimas u konstatuan Shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të 11 procedurave të prokurimit publik.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me vlerësimin e ofertave ekonomike, me pasojë dëm ekonomik në vlerën prej 2.2 milionë lekë.
NJOFTIMI I KLSH
I.KLSH Kallëzon në Prokurori 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe 3 Anëtarë të Njësisë të Hartimit të Dokumenteve të Tenderit (NJHDT) të Bashkisë Berat, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit, vendosjen e kritereve përjashtuese dhe favorizim të operatorëve ekonomikë.
Me Vendimin nr. 52, datë 14.05.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 1104/9, datë 14.05.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Berat masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 55,828 mijë lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në 20 procedura prokurimi, lidhur me përcaktimin e kritereve për kualifikim si dhe vlerësimin e ofertave ekonomike, me dëm ekonomik në vlerën 3,842 mijë lekë.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga K.GJ. në cilësinë e Kryetarit të NJHDT, M.K. në cilësinë e anëtarit të NJHDT, R.K. në cilësinë e anëtarit të NJHDT, E.P. në cilësinë e Kryetarit të KVO, M.S. në cilësinë e Anëtarit të KVO dhe L.B. në cilësinë e anëtarit të KVO, apo dhe personave të tjerë të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Berat.
II.KLSH Kallëzon në Prokurori ish-Kryetarin e Komunës Buçimas, 3 anëtar të Njësisë së Prokurimit (NJP) dhe 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) në Njësinë Administrative Buçimas dhe 2 Mbikëqyrës punimesh, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit, favorizim të operatorëve ekonomikë privat, për punime të pakryera, si dhe për dhënien në përdorim të aseteve.
Me Vendimin nr. 92, datë 09.07.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 389/10, datë 09.07.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Pogradec masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 85,400 mijë lekë.
Shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të 11 procedurave të prokurimit publik. Për 4 raste të dhënies me qira të sipërfaqes prej 285 080 m2, duke mos zbatuar procedurat e konkurimit për dhënien në përdorim me kontratë qiraje të fondit pyjor dhe kullosor publik. U konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të kontratave për kryerjen e investimeve.Për procedurën e realizuar nga Bashkia Pogradec “Sistemim rrugët e lagjes nr. 1 (trekëndëshi), në qytetin e Pogradecit”, me dëm ekonomik në vlerën prej 9,252 mijë lekë, si diferenca në punime të pakryera por të paguara si dhe vlera prej 18,859 mijë lekë.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga R.T. me detyrë ish Kryetar i Komunës Buçimas, O.S. në cilësinë e Juristit të NJP, E.P. në cilësinë e Specialistit në NJP, I.K. në cilësinë e Specialistit në NJP, R.B. në cilësinë e Kryetarit të KVO, P.K. në cilësinë e Anëtarit të KVO dhe E.M. në cilësinë e anëtarit të KVO, si dhe K.S. dhe B.B. në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, apo dhe personave të tjerë të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Pogradec.
III.KLSH Kallëzon në Prokurori 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të Njësisë Administrative Qukës, për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizim të operatorëve ekonomikë privat.
Me Vendimin nr. 108, datë 20.09.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 509/9, datë 22.09.2016 i janë rekomanduar Bashkisë Përrenjas masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 21,934 mijë lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me vlerësimin e ofertave ekonomike, me pasojë dëm ekonomik në vlerën prej 2,204 mijë lekë,
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga E.V. në cilësinë e Kryetarit të KVO, S.A. në cilësinë e Anëtarit të KVO dhe E.K. në cilësinë e anëtarit të KVO, apo dhe personave të tjerë të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
(er.nu/shqiptarja.com)