TIRANË- Gjykata e Posaçme ka kthyer pas për plotësim hetimesh dosjen e Jonaid Myzyrit, ish-kreut të Prokurimeve Publike për të cilin SPAK kërkoi pushimin e çështjes për shkeljet me një tender me vlerë 2,2 mln euro. Togat e zeza i lanë 45 e ditë kohë Prokurorisë së Posaçme të kryejë veprime shtesë hetimore, përfshirë një akt-ekspertim.
Jonaid Myzyri u mor i pandehur për shkelje barazie në tendera, dhe pas rreth një viti, prokurori Elvin Gokaj tha kërkoi pushimin e çështjes me argumentin se gjatë hetimeve dhe disa verifikimeve nuk rezulton të ketë kryer veprën penale.
Përveç tij, SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve edhe për anëtarët e KPP Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
SPAK e mori të pandehur Myzyrin në qershor të vitit 2025 dhe e akuzon për një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor me gjatësi 59 kilometra Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit. Tenderi u zhvillua nga ARRSH më 18 shtator 2020, proces në të cilin janë konstatuar shkelje ligjore, të cilat KPP me kryetar Myzyrin i shpërfillën.
Sipas SPAK, ky Komision, në kundërshtim me ligjin favorizoi bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilat fituan tenderin 2.2 milionë euro me dokumente false.
Komente









