Haxhinasto do të dëshmonte në fundjavë, por zgjodhi ditën e hënë për t’iu përgjigjur fletëthirrjes së prokurorisë. Ish-ministri u mor në pyetje nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj. Përveç Haxhinastos, në pyetje për abuzimet në rrugën Tiranë-Elbasan do të merret edhe ish-ministri tjetër i LSI, Sokol Dervishaj. Në ditët në vijim Dervishaj pritet që të dëshmojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë për lëvrimin e disa fondeve për këtë aks. Për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan është arrestuar ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, por edhe Albens Alite e Aksel Qurduka, drejtori dhe ish-drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Hetimet nga prokuroria nisën pas kallëzimit nga KLSH në 2016 për dëm ndaj shtetit me vlerë 54 mln euro për abuzime në rrugën Tiranë-Elbasan, por që janë ripërsëritura në një kallëzim të dyte të ministrit Gjiknuri në 2017. Në momentin që Haxhinasto po dëshmonte, te Krimet e Rënda ndodhej edhe kreu i Krimit Ekonomik Lutfi Minxhozi. Haxhinasto ishte një ndër personat që ndoqi nga afër në gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan gjyqin e Xhikës për dosjen e Gjinarit, ndërsa i pyetur asokohe nëse ishte i gatshëm për verifikim nëse do të kërkohej, shprehu gatishmërinë.
Dosja e dytë e Dashamir Xhikës për Gjinarin
Ndërkohë që sot Gjykata e Apelit në Durrës i ka refuzuar Dashamir Xhikës dhe Andi Tomës lirinë duke i lënë në burg. Në burg ka mbetur edhe Rexhep Tarba, mbikëqyrësi i punimeve në rrugën e Gjinarit. Biznesmenët Agron Hysa dhe Kujtim Hysa janë lënë në detyrim paraqitje duke u liruar nga burgu, ndërsa për Rrezarta Boçikun nga arrest shtëpie është vendosur masa detyrim paraqitje për shkak të problemeve shëndetësore. Ish-zyrtarët e lartë dhe biznesmenët akuzohen për shpërdorim detyre në ndërtim e rrugës Elbasan-Gjinar. Sipas prokurorisë ata i shkaktuan një dëm shtetit prej 5.3 miliardë lekësh pasi abuzuan me fondet e rrugës Elbasan-Gjinar.
d.b/shqiptarja.com

VIDEO









