Tirana është pa portier. 19-vjeçari Mustafë Abdullahu pritet të mungojë afërsisht tre muaj pasi në stërvitje ka marrë një dëmtim në menisk dhe nuk do jetë gati për stafin teknik.
I afruar nga Besa vetëm disa javë më parë, gardiani i ri e ka pasur fatin kundër, teksa në momentin që nisi të luante titullar ka marrë edhe dëmtimin. Djaloshi nga Kosova spikati në derbin kundër Partizanit, duke bërë disa pritje vendimtare paçka se Tirana humbi 2-1 në fundin e lojës.
I dalë nga moshat e Llapit në Kosovë, Abdullahu prej janarit të këtij viti ishte pjesë e Besës së Kavajës ku spikati me paraqitjet e tij. Tanimë ai do jetë jashtë dhe pritet të fillojë fazën rikuperuese pas operacionit.
Pas 180 minutave këtë sezon, Abdullahu do i lërë vendin portierit të ri Kozi te Tirana, teksa në stol do jetë veterani Ilion Lika. Kujtojmë se bardheblutë janë të pafat me portën, teksa i dëmtuar është edhe Gentian Selmani.