Shkëlqim Hajdari u ul sot zyrtarisht në karrigen e prefektit të Tiranës, me një mesazh të qartë: drejtimi i punës së tij do të bëhet vetëm nga ligji.

Në fjalën e mbajtur gjatë marrjes së detyrës, Hajdari tha se e njeh Tiranën në çdo cep dhe se do të jetë prefekti i të gjithë qytetarëve, pa dallime.

“Njoh çdo lagje të Tiranës, çdo fshat, fushë e kodër dhe Malin e Dajtit. Njoh qytetarë të vjetër e të rinj. Sot dua të them me zemër të hapur se do të jem prefekti i të gjithëve, që jetojnë në këtë metropol pa dallime. Tirana është e fortë vetëm kur qytetarët janë të bashkuar.” u shpreh ai.

Hajdari theksoi se ligji do të jetë udhërrëfyesi i vetëm në ushtrimin e detyrës, ndërsa bashkëpunimi me bashkitë dhe institucionet do të bëhet me paanshmëri dhe respekt. Sipas tij, Prefektura duhet të shërbejë si një urë bashkëpunimi, pasi qytetarët kanë nevojë për institucione që komunikojnë dhe janë pranë tyre.

“Në ushtrimin e kësaj detyre ligji do të jetë busulla ime e vetme. Drejtimi dhe koordinimi i bashkive dhe institucioneve  do të behet me paanshmëri dhe respekt. Prefektura do të jetë një urë bashkëpunimi sepse qytetarët kanë nevojë për institucione që flasin”, tha ai.

Pas një karriere 35 vjeccare në shërbim të shtetit shqiptar, Hajdari rrëfeu se se posti i prefektit mund të jetë edhe detyra e tij e fundit në administratë.

“Kam 35 vjet që punoj për shtetin shqiptar. Funksioni i prefektit do të jetë për mua më i bukuri dhe më i dashuri, ndoshta edhe i fundit. Dua ta mbyll me nder dhe të lë gjurmë të mira,” tha ai.