Data shënonte 22 gusht 2023 dhe Rey Manaj u bashkua falas me Sivasspor në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares kishte humbur vendin në ekipin kuqezi dhe kishte mbetur pa skuadër, kjo pas një dëmtimi të rëndë në Angli me Watford, aty ku kaloi nga radhët e Barcelonës.
Vetëm pak muaj iu deshën Manajt që të bindte drejtuesit e rinj me formën e tij, ndërsa këtë sezon ka shënuar 16 gola, 12 prej tyre në kampionat. Me kontratë deri verën e 2026, Manaj për momentin në treg vlen 1.5 milionë euro sipas "transfermarkt".
Por te Sivasspor nuk binden nga kjo shifër, teksa kanë refuzuar çdo ofertë për Manajn. Mediet në Turqi bëjnë me dije se te Sivasspor kanë në plan t'i ofrojnë rinovimin sulmuesit 26-vjeçar, ndërsa për kartonin e tij nuk duan më pak se 10 milionë euro për ta lënë të lirë.
Me formën e treguar, Manaj pritet të jetë sërish në listën e Kombëtares, teksa Sylvinho parashikon një vizitë në Turqi për të takuar lojtarët.