Lajmi i publikuar për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Berisha, se ka blerë tokë në Gërdec, pikërisht në tokën ku humbën jetë dhjetra persona për shkak të një shpërthimi të depos së armëve, për të cilin Shkëlzeni akuzohet si i përfshirë në aferë koruptive, ka sjellë reagimin e familjarëve që humbën të afërmit.

Djali i madh i familjes “Durdaj”, e cila është akoma në pritje të drejtësisë së munguar për të ndëshkuar atë që i mori jetën të birit, Geraldo Durda, thotë se autori po kthehet në vendin e tij të krimit. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai ngre pyetjen se kush janë politikanët më të interesuar në Shqipëri që tragjedia e Gërdecit të mos zgjidhet kurrë ndërsa thotë se deri më tani askush nuk ka marrë mundimin deri tani ta pyesë, krejt ligjërisht, nga se përbëhet pasuria e ti dhe se kush i sponsorizon udhëtimet e tij.

““sy peshkaqeni”

Kush janë politikanët më të interesuar në Shqipëri që tragjedia e Gërdecit të mos zgjidhet kurrë?

Fillimisht blen pronën , më parë ka blerë një makinë 85 mijë euro dhe një apartament tek ETC 346 mijë euro. Më pas merr kredinë për të blerë pronën, të cilën e lë kolateral për kredinë. Mes pas blen edhe ca makineri boronicash 2.4 miliardë lekë (të vjetra).

Pastaj e kamuflon me një kompani që ka një punëtor.

Më pas rikthehet në vendin e krimit.

Edhe më e çuditshmja,

Askush nuk ka marrë mundimin deri tani ta pyesë, krejt ligjërisht, nga se përbëhet pasuria e tij?

Kush i sponsorizon udhëtimet e tij?

Çfarë punon?

Në cilin objekt ka qenë,ndërmjetës, çfarë është blerë e çfarë është shitur?”, shkruan djali i madh i familjes “Durdaj”, Geraldo Durda.

Kujtojmë që vëllai i tij Erisoni i vogël, ishte vetë shtatë vjeç e gjysmë, kur nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve me 15 mars 2008 në Gërdec gjeti vdekjen.