I quajtur “Shkëmbi doktorit” nga vlonjatet, dikur plazh publik, sot nuk mund te qendrosh as disa minuta. Qytetaret vlonjatë të indinjuar flasin përpara kamerës se që në femijeri këtu kane plazhuar së bashku me familjet, pa asnjë detyrim, kurse sot do duhet te paguajne 15 mijë lek per tu lare ne det. Sipas tyre ne kete vend nuk respektohet hapësira për plazhin publik.

“Kjo është skandaloze se ky plazh dhe kjo shëtitore janë të të gjithë vlonjatëve. Tani vijnë të fortët dhe zënë vendin, ne na spostojnë na kanë nxjerr në majë të gurit. Edhe këtu na kanë thënë se do na përzënë më datë 1 korrik”, tha një pushues.

“Ky deri vjet ka qenë plazh popullor, publik. Para një jave erdhën rojet na thanë mund të laheni ne det, por mos rrini para shezlongëve! Po ku do bëjmë plazh ne?! Këtu ligji i shtetit për 30 për qind plazh publik nuk zbatohet më”, tha një tjeter pushues.

Prej disa ditësh subjekti privat ka vendosur çadrat e shezlongët, duke i spostuar qytetarët që nuk paguajnë. Ata akuzojnë se plazhi është zaptuar nga Ardian Kollozi, një ish-funksionar i PD-së, pronar i “PRIAM Hotel”. Të vendosur në një cep ku sipas tyre ende nuk është zënë, ata kërkojnë nga bashkia të ndërhyjë per lirimin e hapësirës.

“Kollozi ai e ka hotelin që ka vendos dhe shezlongët. Një javë ka që janë vendos. Ne tani rrimë nëpër shkallët e shëtitores apo nëpër gurë, por as këtu s’do na lënë më”, tha një tjetër pushues.

“Shkëmbi i doktorit” deri tek “Moli i naftës” pjesë e shëtirores “Lungomare 2” ka qenë dikur plazh publik, por subjekti privat që duhet të shfrytëzojnë vetëm 70 për qind të hapësirës së rërës nuk kursen as 30 përqindëshin e hapësirës publike.