JANINË - Shkëmbim zjarri në kufirin shqiptaro – grek. Një makinë e cila dyshohet se transportonte drogë nga Shqipëria ka goditur me kallashnikov makinën e policisë së Janinës. Burimet policore thanë për Shqiptarja.com se ngjarja ka ndodhur në Delvinaq, mes Gjirokastrës dhe Janinë, pikërisht në aksin Kakavijë – Janinë.

NGJARJA
Mësohet se policia greke, 5 km larg kufiri ka qenë në postbllok dhe i ka bërë shenjë ndalese makinës që vinte nga kufiri shqiptar.
Sipas burimeve, një person ka nxjerrë një armë zjarri model 56, tip “Kallashnikov” dhe ka qëlluar mbi makinën e policisë duke shkaktuar plagosjen e një polici grek. Ai është dërguar në spitalin Haxhikosta në Janinë.

Policia greke, e cila është vënë në ndjekje të makinës tha se automjteti u gjet i braktisur në Haravgi të Pogonit. Pranë saj janë gjetur rreth 100 kg hashash. Makina, e tipit Golf rezulton të jetë vjedhur në Athinë.

(aq/shqiptarja.com)