100 familje në fshatin Podgorie të Bashkisë Maliq bashkëjetojnë me rrezikun që u kanoset nga masivi shkëmbor... Fshati i vendosur rreze Malit të Thatë prej dy vitesh po përballet me fenomenin e erozionit dhe copëtimit të shkëmbinjve të cilët rrezikojnë të bien mbi banesa.
“Jemi 100 shtëpi, që atje matanë deri tek përroi. Jemi ankuar tek kryetari i Komunës. Do t’i rregulloj, do t’i rregulloj dhe hiç nuk ka rregulluar asgjë”
“Shumë e vështirë është. Dihet se kur vjen natën ai, se guri kërcen. Këto shtëpitë këtu që aty ku e kam unë dhe tërë këto të tjerat i merr dhe zhduken”
Mersin Pilinxhi tregon se ka shpëtuar mrekullisht kur gurët ranë mbi shtëpi.
“Dy vjetët e fundit kanë dalë shumë problematike. Janë rrëkëllyer dy tre gurë, shkëmbinj të mëdhenj gati sa një makinë, bile njëra më hyri në shpi. Bile një shkëmb i madh para 5 vjetëve kaloi në shtëpinë time dhe përfundoi aty ku janë ato hauret.
Duke pranuar problematikën, Bashkia Maliq thotë se është drejt finalizimit të marrëveshjes me forcat xheniere të ushtrisë për të kryer copëtimin dhe shembjen e masivit shkëmbor.