Rebelet e Syrizas do të krijojnë parti të re. “Uniteti popullor” është emri më i ri i formacionit politik. Sipas mediave greke kjo parti përbëhet nga 25 deputetët rebelë shkëputur tashmë nga partia e ish-kryeministrit Aleksis Tsipras. 

Kjo parti do të udhëhiqet nga ish ministri i Energjitikës, Panajotis Lafazanis, i cili ishte një nga kundërshtarët më të fortë të marrëveshjes se ndihmës për Greqinë. Në listën e deputetëve të bashkuar në formacionin e ri politik që u poblikua nga gazeta “Ta Nea”, bien në sy mungesa e kryetares së Parlamentit Zoe Konstantopulou dhe e Ish-Ministrit të financave Yanis Varoufakis.

Pasditen e së enjtes kryeministri Aleksis Tsipras dha dorëheqjen pasi siç u shpreh partia e tij SYRIZA kishte dalë kundër marrëveshjes së ndihmës. Gati një e treta e deputetëve SYRIZA-së abstenuan ose votuan kundër kushteve të marrëveshjes së re javën e kaluar çka solli efektivisht humbjen e shumicës në parlament të Tsipras. Në deklaratën drejtuar popullit grek kryeministri u shpreh se e ndjente si detyrim që t’i jepte mundësi popullit që të vlerësonte punën e tij.

“Tani që këtij cikli të vështirë i ka ardhur fundi, ndjej një detyrim të thellë moral dhe politik që t’ia nënshtroj gjykimit tuaj gjithçka që kam bërë, e drejtë ose e gabuar, suksese apo dështime. Mandatit popullor që mora më 25 janar i ka skaduar afati”, tha ai. Deri në zgjedhjet e parakohshme që priten të mbahen më 20 shtator, kryeministrja e vendit do të jetë kryetarja e Gjykatës supreme 65-vjeçares Vassiliki Thanou-Christophilou, e cila duhet të formojë qeverinë teknike

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)