Shkodër,  vjen për të gjithe
komedia 'Danimarka, toka jone!'

Shkodër,  vjen për të gjithe<br />komedia 'Danimarka, toka jone!'
Stefan Çapaliku ka vendosur t’ja thotë në sy Shkodrës e shkodranëve. E quajtur një komedi por që fare mirë ngjan edhe më një tragjikomedi, “Danimarka, toka jonë” është vepra e cila shtangu shkodranët të cilët e panë të zhvillohej përpara syve të tyre, e kaluara moniste, demokracia e brishtë 25 vjeçare dhe e ardhmja e pa shpresë në një skenë teatrore. Një komedi që sjell në vëmendje dhe godet fort për shkatërrimin dhe rënien e lirë 25 vjeçare të shumëçkaje, edhe në Shkodër “kryeqytetin” e papunësisë dhe djepin që pak është rritur duke mbetur ende si një djalë i vogël, djep kulture. Therësë, goditëse, rrënqethëse, mbreslënëse, impresionuese, e thellë, e ndjeshme, aktuale dhe tejet domethënëse është “Danimarka, toka jonë”. 

Një komedi që publikut i përcjell qartë mesazhin e harresës, rrënimit, mungesës së vizionit për të ardhmen, një mesazh që tronditi shpirtin e gjithsekuj që e pau tek luhej në teatrin “Migjeni” loja e aktorëve. Një dramë dhe një komedi që në ndërthurje prodhojnë këtë vepër që është si një alarm, si një thirrje si një kumbim që vjen jo nga larg, po këtu nga Shkodra, nga djali i saj, regjizori dhe autori Stefan Çapaliku për ta shpëtuar këtë qytet edhe pse jemi shumë vonë.

Ngjarjet i referohen vitit 1990 kur në teatrin “Migjeni” do të luhej drama “Tokë jonë” me autor Kolë Jakovën. Një dramë e realizimit socialist me personazh Tuç Makun që në rol vjen nga Enver Hyseni, i cili ka marrë pronat e Lokes, në rol nga Rita Gjeka dhe ka paguar një person për t’i vrarë bashkëshortin e më pas edhe vetë këtë person. Komedia nis me drejtoren e asokohe të teatrit, një komuniste e paepur, që në rol vjen nga Merita Smaja, e cila vë në dijeni trupën që do luante dramën “Toka jonë” mbi çdo zhvillim. Regjizori, në rol nga Jozef Shiroka bashkë me trupën e tij, Filen, në rol nga Kristiana Dodaj, Murrashin, në rol nga Nikolin Ferketa, Lekën, djalin e Lokes, në rol nga Simon Shkreli, Vatën, në rol nga Ergys Bamçi, Metin në rol nga Frederik Fistani, Pllumin që ka një veshje prej miu, vijojnë normalisht provat. 

​Drama nis me aktin e dytë të saj ku në skenë janë të gjithë aktorët. Publikut në këtë pjesë i rikujtohet lufta e klasave, se si merreshin pronat fshatarëve apo intrigat e komunistëve. Pas kësaj pjese në skenë futet regjizori. Pas daljes së tij, aktorët teksa bëheshin gati për një tjetër provë dëgjojnë në radio Tirana vendimet e PPSH dhe ndër të tjera lejimin e organizatave të tjera politike pluraliste por sipas "ligjeve në fuqi". Ky lajm gati shokues gati sa nuk besohet nga aktorët të cilët ironizojnë dhe sjellin të qeshura në sallë.

Drejtorja e teatrit vjen sërish dhe u jep lajmin për vendimin e PPSH por jo vetëm kaq. I bën të ditur regjizorit dhe aktorëve se duhet që tashmë me ardhjen e ditëve pluraliste të gjejnë një formë që të mos çojnë 4 muaj dëm të provave por të përafrojnë një tjetër vepër që të jetë "një zhvillim cilësor" i asaj që kishin për të vënë në skenë, “Toka jonë”. Regjizori tërbohet nga ky vendim dhe nuk arrin ta konceptojë. Duke kërkuar mendim nga vetë aktorët, Filja që ka rolin tek “Toka jonë” thotë se duke menduar këtë personazh i kishte ardhur në mendje Ofelia tek Hamleti i Shekspirit. Regjizori Çapaliku përmes një gjetje gjeniale përafron dramën “Toka jonë” dhe rolet e saj me atë tragjikomedinë e Shekspirit tek vepra epike Hamleti. Këtu nis një absurditet teksa vetë aktorët ndajnë rolet dhe Filja bëhet Ofelia, Murrashi bëhet Princ Hamleti, Lokja bëhet Gertruda, Leka Horati, Vata Laerti, Meti Polonius, Tuç Maku Klaudi dhe Miu Fanztazma. Në skenën e teatrit “Migjeni” ndërrohen ngjyrat. Mbi dërrasat e vjetra mbizotëron ngjyra e kaltër, çka nënkupton se në 25 vitet e demokracisë veç fasadat janë ndërruar dhe plasin batutat mes personazhe të vjetër dhe atyre të rinj teksa Lokja nga katundare bëhet mbretëreshë Gertruda.

Teksa personazhet kërkojnë rrobat për tragjedinë e Shekspirit si "zhvillim cilësor" i dramës “Toka jonë”, në këtë moment një karrocë me mbishkrimin “Djepi i Kulturës” që futet në skenë është goditja më e fortë që regjizosri Çapaliku përçon. Karroca qëndron aty dhe aktorët të lumtur e nën shoqërinë e muzikës ndërrojnë kostumet për veprën e re, aty tek "djepi i kulturës" deri sa regjizori me revoltën e brendshme të intelektualit që thuajse ka vdekur urdhëron inorikisht që karroca "djep kulture" të nxirret jashtë. Salla e teatrit hesht në këtë moment edhe pse brenda ndodheshin me dhjetra përfaqësues politik edhe nga ata që jo rrallë herë patën në dorë fatet e qytetit, Shkodrës historike, të kulturës, artit, traditës, sportit, zonjës plot hijeshi, djepit të kulturës por që ka mbetur veç djep. Jo vetëm fasadat ndërrojnë ngjyrë por edhe drejtorja e teatrit e cila nga gruaja serioze komuniste ashtu si koha vjen në skenë me një veshje trendi e moderne që në ato vite ishte tabu.

Meti, komunisti edhe pse e tret teseren e PPSH, do t’ia gjente drejtorja e teatrit përpara se ditët e sistemit të bienin dhe do ta ruante edhe në ditët e demokracisë, teser me të cilën do të bëhej edhe menaxher i një lokali nate në një mjedis të teatrit “Migjeni” gjetje me të cilën Çapaliku ironizon fuqishëm ndërsa sjell realitetin e dhjetra komunistëve që tashmë hiqen si demokrat. Drejtorja thotë se tashmë teatri nuk duhet të mbetet vetëm teatër por mjediset të kthehen në bingo, bilardo e kazino bashkë me klubet e natës. Teksa regjizori në rol çmendet nga e gjitha kjo, aktorët e braktisin. Hamleti dhe Ofelia që në jetë ishin një çifti i ri marrin rrugën në emigrim pa e ditur se ku, fraza që sjell heshtje “buka e gojës mjeshtër, buka e gojës na detyroi” duke iu drejtuar regjizorit i cili në vetmi mediton buka e gojës nuk na lë të bëjmë as Hamletin e as “Toka Jonë”, për të thënë se sa poshtë ka rënë arti e kultura. Horadi nis e bën tregti në Malin e Zi duke kontrabanduar benzinë e naftë dhe merr me vete edhe Laertin duke i thënë regjizorit se “kemi edhe punë tjera, teatri bën edhe pa ne” dhe të armatosur nisen drejt shtetit fqinj.

Dërrasat fillojnë të bien një nga një, kërcitjet e të cilave sjellin në kujtesë jo vetëm shkatërrimin e vetë teatrit ndër vite por edhe të krejt shoqërisë e ndërsa Mbreti Hamlet sheh në teatër një mi të madh për të thënë se ku ka degraduar. Dhe një pyetje retorike që vjen nga Gertruda, “Frika, a ka ikë frika”?! që merr përgjigjen e mbretit Hamlet, “Sa e bukur është Danimarka”, mbyllje e cila shpreh ëndërrimet e shqiptarëve dhe dëshirën e madhe të tyre edhe në ditët e sotme për të emigruar dhe për ta lënë Shqipërinë. E gjitha është një shfaqje e fortë psikologjike, dhe jo vetëm, e cila sjell tranzicionin që ka prekur në çdo qelizë të jetës duke shformuar një shoqëri të tërë me këto pak hapa të bërë përpara, me një Shqipëri që ëndërronte në aspirata të pafundme por që përfundoi e varfër, e brishtë, e papjekur dhe duke lypur dyerve të ndërkombëtarëve jo vetëm për mëshirë por edhe për pak demokraci, nga ajo e vërteta. Demokracia e Danimarkës që kërkon edhe Çapaliku që në horizont duket se s'do të mbërrijë kurrë në tokën shqiptare!

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

“Erdgysi kishte krijuar një lidhje me një 19-vjeçare”, familjarët e Alma Arrazit: I kishte treguar vajzës video me të në celular

“Erdgysi kishte krijuar një lidhje me një 19-vjeçare”, familjarët e Alma Arrazit: I kishte treguar vajzës video me të në celular