SHKODER - Dhjetë shtetas sirianë, janë arrestuar nga policia e Shkodres, mbremjen e së shtunes.

Shtetasit e huaj janë ndaluar nga policia menjëherë pasi kanë dalë nga xhamia “Ebu Beker” në qënder të qytetit.

Sirianët i janë bindur totalisht policisë, por ka qenë e pamundur të komunikohet normalisht për arsye të gjuhës arabe, që flisnin personat e ndaluar.

Ndërkohe, policia nuk ka asnjë njoftim zyrtar në lidhje me ndalimin e shtetasve sirianë. Uniformat blu e pranojnë përmes linjave zyrtare të komunikimit se janë ndaluar shtetas të huaj, por nuk mund të japin asnje informacion.

Kjo nuk është hera e parë kur shtetas të huaj- kryesisht nga vendet arabe, janë kapur gjatë kalimit nëpër Shqipëri, madje edhe në Hanin e Hotit. Klandestinët dyshohet se kanë ardhur nëpërmjet rrugëve tokësore nga Greqia dhe si synim kishin kalimin për në shtetin italian, në rrugë tokësore nga Mali i Zi drejt Bosnjë Hercegovinës, deri në shtetin italian.

Qëllimi i tyre është të kalojnë në Europen Perendimore duke shfrytëzuar territorin tonë. Gjate muajve të fundit është shtuar numri i emigrantëve të paligjshëm nga vendet e treta, të cilët tentojnë të kalojnë tranzit në Shqipëri me synim vendet e BE-së.

(ad.ti/shqiptarja.com)