SHKODER- Dy thasë me 8,5 kilogramë marijuanë janë sekuestruar në fshatin Brojë në rrethin e Shkodrës. Policia ka njoftuar se gjatë një kontrolli të ushtruar në një shpellë, antidroga ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë në cilësinë e provës materiale 2 thasë me ngjyrë të bardhë, ku në brendësi të tyre kishte 8 kg e 423 gr lëndë narkotike marjuanë.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe dy automatikë, një krehër me 6 copë fishekë, 15 rrota natriban ngjyrë kafe, si dhe disa copa plasmasë transparent, të cilat mendohet të përdoren për paketimin e lëndës narkotike.

Hetimet bënë të mundur identifikimin e poseduesit të këtyre materialeve, por nuk ka arritur ta arrestojë ende atë, ndërsa e ka shpallur person në kërkim. Shtetasi me inicialet G. K do të ndiqet penalisht për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve” dhe “Armbajtje pa leje”. 
(ln/shqiptarja.com)