SHKODER - Banorët e fshatrave të komunës Rrethinat në Shkodër protestuan mbrëmjen e së shtunës ndaj ndërprerjes së energjisë nga ana e kompanisë ÇEZ- Shpërndarje. Ata denoncuan atë çka e cilësojnë ndëshkim kolektiv ndërsa pretendojnë se paguajnë faturat e energjisë.

Banorët e irrituar kanë arritur të depërtojnë në brendësi të nënstacionit duke prishur portën kryesore e duke hyrë me dhunë brenda rrethimit të tij. Përfaqësuesit e CEZ kanë njoftuar menjëherë policinë e cila ka mbërritur për të marrë nën kontroll situatën pas pak minutash.

Për të shmangur ndonjë fatkeqësi, punonjësit e CEZ kanë ndërprerë energjinë elektrike, duke lënë kështu në errësirë një pjesë të qytetit të Shkodrës për disa minuta.

Kompania CEZ pretendon se ndërprerjet e energjisë elektrike vijnë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet nga ana e debitorëve. Prej muajsh situata në rrethin e Shkodrës vazhdon të jetë problematike ndërsa protesta të tilla janë organizuar nga banorët e shumë fshatrave.

(Gre.M/Shqiptarja.com)