SHKODER- Ndërsa zona muzeale e qytetit të Shkodrës vijon të qëndrojë pa energji elektrike prej 6 ditësh, kryebashkiaku Lorenc Luka ka vijuar akuzat në drejtim të kompanisë CEZ Shpërndarje për papërgjegjshmëri.

Sipas Lukës kompania e CEZ jo vetëm është duke penguar investimet në metropolin verior, por edhe duke i dëmtuar ato. Luka ka përmendur rastin e unazës lindore, autostradës Shkodër- Hani i Hotit dhe pedonalen e Gjuhadolit ku është ndërprerë puna për shkak të kompanisë CEZ e cila nuk ka bashkëpunuar me bashkinë e Shkodrës.

Pavarësisht akuzave nga ana e bashkisë, situata vijon të mbetet e njëjtë, ku puna në disa projekte të rëndësishme për qytetin e Shkodrës është ndërprerë, pasi pritet sistemimi i kabujve të tensionit të lartë.

Këshilltarët e Komunës Bushat, në mbledhjen e radhës së këtij këshilli kanë kërkuar shpjegime nga CEZ për mungesën e furnizimit me energji elektrike. Ata kanë ngritur shqetësimin e banorëve të disa fshatrave të cilët vuajnë mungesën e energjisë elektrike prej 72 orësh dhe askush nuk ka një shpjegim për ta, pavarësisht se janë pagues të rregullt të faturave të energjisë elektrike. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga kryetari i Komunës Bushat Zef Hila.

Në komunën e Bushatit numërohen rreth 5000 abonentë, ndërkohë që në këtë shifër përfshihen edhe rreth 300 biznese të cilët vuajnë më shumë se kushdo tjetër mungesën e energjisë dhe rrezikojnë falimentimin.
(eç/shqiptarja.com)