Dyfishohet numri i rasteve të dhunës në familje në qarkun e Shkodrës.

Kërkesat e grave të dhunuara për të marrë një urdhër mbrojtje në Shkodër kanë pësuar rritje të vazhdueshme.
 
Vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë ka patur 2-fishim të kërkesave.

Kancelari i gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër Artan Dragani thotë se 160 persona kanë kërkuar mbrojtje nga dhunuesit e tyre, ku pjesa dërrmuese e tyre janë gra.
 
“Kemi patur 160 raste për 2017 ndërsa një vit më parë kemi patur rreth 80 kërkesa, pra më pak” shprehet Dragani.

Kancelari pranon se një pjesë e urdhërave të mbrojtjes nuk janë zbatuar, por sipas tij Gjykata ka ndërhyrë duke u dhënë rëndësinë e duhur këtyre rasteve.

“Kemi patur raste që persona kanë thyer urdhërin e mbrojtjes dhe gjykata ka marrë masa ndaj tyre” shton kancelari. 

Nëse i referohemi shifrave vetëm gjatë vitit 2017 në qarkun e Shkodrës janë shënuar 2 viktima, si shkak i krimit në familje.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com