SHKODËR, 21 Korrik/ATSH-Gaspër Marku/ - Emiliano Nënshati eshte shpallur fitues i konkursit të fotografisë "Eja fotografo Shkodrën dhe fito". Ky ishte aktiviteti i radhës në programin disaditor organizuar nga Projekti Marubi, financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Shqiperi - Mali i Zi. Ne kete konkurs moren pjese mbi 50 fotografë të rinj.Sipas Enton Jubanit, organizator i konkursit fotografik, kjo iniciativë historiko-kulturore organizohet për herë të parë në qytetin e Shkodrës në kuadër të projektit "Marubi, një model bashkëpunimi për promovimin e turizmit ndërmjet Shkodrës dhe Ulqinit".Jubani theksoi për ATSH-në se "kjo iniciativë i shërben çdo shkodrani e çdo shqiptari, që të ndërgjegjësohet  për vlerat që bart një qytet bashkëkohor e tradicional, siç është Shkodra". Ai shtoi gjithashtu, se temat kanë qenë të lira dhe fotografët pjesëmarrës kanë pasur mundësi të fotografojnë aspekte të ndryshme të qytetit të Shkodrës.  Krahas angazhimit në përgatitjen e fotografive konkuruese, pjesëmarrësit paten rastin që të marrin pjesë edhe në disa seminare mbi fotografinë.Pas përzgjedhjes së fotove më të mira, juria e këtij konkursi përcaktoi si fotografinë fituese atë të shkrepur nga aparati fotografik i Emiljano Nenshatit, që nisur nga vetë mbiemri që ka të kujton menjëherë vazhdimësinë e traditës së të atit të tij, të madhit fotograf shkodran, Angjelin Nënshati, pasuesit më të denjë të Marubëve unikë në vendin tonë për historinë e artit fotografik.
Emiliano u shpreh shumë i kënaqur për suksesin e arritur, duke theksuar se ka arritur të japë diçka nga shkolla e fotografisë së familjes Nënshati, ku pas ndarjes nga jeta të babait të tyre, ai së bashku me dy vëllezërit e tij, vazhdojnë traditen e familjes duke mbajtur në aktivitet të përditshëm studion "Nënshati", e cila jo rastësisht është e vendosur në qëndër të rrugës pedonale "Idromeno" të qytetit të Shkodrës. Duke komentuar fotografinë me të cilen fitoi çmimin e parë, një portë e një shtëpie të vjetër shkodrane dhe prapa disa ndërtime shumëkatëshe, Nënshati junior tha se ka pasur idenë që shtëpitë dhe oborret e vjetra karaktersitike shkodrane, po zëvendësohen me ndërtime të reja, që edhe pse kanë vlerat e tyre të zhvillimit të qytetit, duket sikur po zhdukin lagjet e vjetra të qytetit verior. /a.ke/