SHKODER - Shkoi për të shpëtuar jetën e të tjerëve por rrezikoi jetën e tij. Triumf Lekiçi, kryeinspektor i repartit të zjarrfikësve në Shkodër pësoi djegie në kokën e tij dhe në pjesë të trupit. Një bombol gazi i ka shpërthyer gjatë një aksioni për shuarjen e flakëve. Në tentativë për të lokalizuar me shpejtësi vatrën e zjarrit që sapo ishte ndezur, papritmas kryeinspektori Lekiçi e ka parë veten mes flakëve.

Ngjarja ndodhi në banesën e familjes Markaj në fshatin Zues të Komunës Rrethina. E zonja e shtëpisë kishte vënë qumështin për të valuar në një bombul zjarri. Duket se bombola sapo ishte mbushur me gaz dhe një defekt ka bërë që të ketë rrjedhje graduale të gazit i cili më pas është kapur flakë. Anëtarët e familjes Markaj kanë lajmëruar repartin e zjarrfikësve. Një makinë është nisur me shpejtësi bashkë me kryeinspektorin Lekiçi dhe dy zjarrfikës të tjerë. Lekiçi ka tentuar që nga një dritare e vogël të vendosë tubin me ujë për të shuar flakët. Në ato moment bombola e gazit ka shpërthyer dhe presioni i flakëve ka shkuar në drejtim të kryeinspektorit.

Kaq ka mjaftuar dhe Lekiçi është përfshirë nga zjarri. Dy zjarrfikësit e tjerë bashkë me anëtarët e familjes Markaj kanë ndërhyrë me shumë shpejtësi për t’i dhënë fillimisht ndihmën e parë. Më pas menjëherë kryeinspektori Lekiçi është dërguar drejt urgjencës të spitalit rajonal të Shkodrës nga ku ka marrë edhe ndihmën e shpejtë. Nga sa mësohet kryeinspektori është jashtë rrezikut për jetën por djegiet që ka pësuar janë të konsiderueshme qoftë në kokë por edhe në pjesë të ndryshme të trupit. Gjithsesi, fatmirësisht kryeinspektori ka shpëtuar nga kjo ngjarje.
 
zjarr shkoder

Komandanti Smajli tregon ngjarjen

Komandanti i repartit të zjarrfikësve Muhamet Smajli tregon se si ndodhi ko ngjarje që për pak desh i mori jetën kryeinspektorit Triumf Lekiçi. “Sapo u mor njoftimi nga salla për një zjarr në fshatin Zues grupi i gatshëm është nisur me shumë shpejtësi drejtë vendit ku morëm lajmërimin. Kryeinspektori bashkë me dy zjarrfikësit e tjerë kanë bërë të gjitha veprimet e duhura për të ndërhyrë me shpejtësi për shuarjen e zjarrit. Në atë moment në tentativë për të ndalur përhapjen e flakëve ka shpërthyer fuqishëm bombola e gazit dhe flakët kanë përfshirë kryeinspektorin. Për fatin e mirë është jashtë rrezikut për jetën”.
 
zjarr shkoder

zjarr shkoder

Kërkesat për kushtet më të mira

Komandanti Muhamet Smajli i bën apel Bashkisë Shkodër por edhe Qeverisë për kushte më të mira. ”Kjo është puna jonë e përditshme. Kemi një punë mjaft të rrezikshme. Punojmë në kushte të vështira dhe shpesh herë përballemi me të tilla situata. Bumet e ndërtuara nga Bashkia Shkodër në të gjithë qytetin na vështirësojmë së tepërmi punën sepse na ndalin shpejtësinë e makinave tona kur nisemi në vendngjarje të ndryshme. Duhet medoemos korsia e emergjencës ose të hiqen bumet. Nëse do të kishim shkuar më shpejt bombola e gazit nuk do të kishte shpërthyer dhe zjarri nuk do ishte përhapur. U vonuam vetëm nga bumet që ka ndërtuar Bashkia Shkodër. Sa i përket Qeverisë i bëj apel që të marrë parasysh kushtet e vështira në të cilat ne punojmë. Të shihet mundësia që të ketë ndonjë ndryshim apo përmirësim të situatës sepse në të ardhmen mund të kemi edhe jetë të humbura siç na u rrezikua jeta e kryeinspektorit”-thotë komandanti Smajli.
 
zjarr shkoder

Triumf Lekiçi ka 20 vite që punon në repartin e zjarrfikësve në Shkodër duke pasur kështu një eksperiencë të gjatë pune. Është përballur me shumë situata të ndryshme në gjithë këto vite duke rrezikuar bashkë me pjesën tjetër të zjarrfikësve edhe herë të tjera edhe jetën për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Në momentin e rënies së zjarrit në banesë e familjes Markaj ndodheshin tre persona të cilët shpëtuan nga heroizmi i kryeinspektorit Lekiçi i cili bëri gjithçka për të përmbushur misionin që ka duke rrezikuar edhe vetë jetën e tij. Lekiçi është një prej zjarrfikësve më të mirë që ka reparti i Shkodrës por nganjëherë përballë kushteve të vështira me të cilat përballen asgjë nuk mjafton.

zjarr shkoder

zjarr shkoder

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)