Ndërkohë është arrestuar menjëherë shtetasi Taf Balijaj, i cili sipas policisë, një pjesë të armatimit e kishte fshehur në banesën e tij, ndërsa një pjesë tjetër e kishte fshehur në një faqe Mali. Gjatë ditës së djeshme në gjykatën e Shkodrës është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Balijajt, ku pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues ka vendosur të lejë në qeli 75-vjeçarin nga Malësia e Madhe.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, Balijaj ka pohuar se dijeni për lëndën eksplozive dhe armët kishte vetëm ai dhe askush nga anëtarët e tjerë të familjes. Sipas tij, disa prej armëve i kishte blerë gjatë vitit 1997 e në vijim, ndërkohë që sasinë e tritolit e kishte gjetur në një kanal, të cilin më pas e ka marrë me qëllim për ta përdorur në hapjen e rrugës së fshatit.
I sëmurë psiqik
Në seancën gjyqësore avokati mbrojtës kërkoi nga gjykata që të urdhëronte kryerjen e një ekspertimi psiqik për të moshuarin, pasi ai ishte përjashtuar në vitin 1958 nga ushtria si pasojë e çrregullimeve mendore. Më tej, avokati shtoi që Taf Balijaj t’i caktohet një masë e butë sigurimi, kjo dhe për shkak të moshës së tij dhe për faktin se nuk rezulton me precedentë penalë. Nisur nga kjo situatë avokati mbrojtës paraqiti kërkesën për shtrimin e 75-vjeçarit në një spital psiqiatrik. Ndërkohë nga ana tjetër përfaqësuesi i prokurorisë, kërkoi caktimin me masën e sigurisë, arrest me burg për 75-vjeçarin Taf Balilaj, pasi në banesën e tij u sekuestruan 236 kallëpe tritoli, 97 granata luftarake, qindra metra fitil dhe kapsolla detonatorë.
“Në vitin 1958 ai është liruar nga ushtria pasi ka shfaqur probleme mendore dhe epilepsi”, mësohet se ka thënë avokati mbrojtës i Taf Balilajt. Ndërkaq, vetë i pandehuri në sallën e gjyqit, ka thënë se tritolin e kishte përdorur për të hapur rrugët në fshat. Dëshmitarë të ndryshëm kanë thënë se ai ka hapur dy rrugë të fshatit si dhe ka pastruar fushat e fshatrave nga masivet e gurëve që kishin rënë.
Blerja në Dragoç
Gjatë intervistimit nga policia, i pyetur si person në hetim, shtetasi Taf Balijaj ka deklaruar se sendet që janë fiksuar gjatë kontrollit, janë të tijat dhe ishin të fshehura nëpër shtëpi, prandaj për këtë fakt nuk kanë pasur dijeni as familjarët e tij. Së dyti, ai ka deklaruar se armët e zjarrit i kishte blerë nga një person i panjohur në vitin 1997 në fshatin Dragoç, pushkën 20-she e kishte gjetur në mal përpara 8 vitesh, ndërsa arma e gjahut ishte me leje të lëshuar nga komisariati i policisë Malësi e Madhe.
Po kështu, lidhur me lëndën plasëse tritol, pretendon se e ka gjetur në fshatin Dragoç në kanal dhe këtë sasi tritoli e kishte marrë për ta përdorur për të hapur rrugën, pasi ishte shumë e keqe. Ai deklaron se armët e zjarrit nuk i kishte përdorur dhe i kishte mbajtur në banesë për vetëmbrojtje. Personi nën hetim ka sqaruar se kishte dy djem, të cilët prej vitesh jetonin me familjet e tyre larg shtëpisë së të atit. Gjithashtu ai ka sqaruar se nuk kishte konflikte apo probleme me ndonjë person.
Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)