Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka inspektuar nga afër punimet që po kryhen nga Bordi i Kullimit dhe Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike në kanalin kullues pranë harkut të Bërdicës.
Gjatë intervistës për mediat, kryebashkiaku u shpreh se kjo ishte një ndërhyrje e domosdoshme në një kanal që nuk ishte pastruar prej vitesh dhe ishte kthyer në një zonë “pa zot”.
“Kjo ndërhyrje që po bëjmë tani, do të zgjidhi përfundimisht një nga problemet më të mëdha gjatë përmbytjeve në Shkodër që është nyja e harkut të Bërdicës. Ky kanal ka qenë pa zot, prandaj edhe ka mbetur. Është një punë voluminoze por do na krijoj një funksionim më të mirë gjatë kohës së reshjeve”, tha Benet Beci.
Sipas banorëve, kjo është një ndërhyrje e shumëpritur që shmang rrezikun e përmbytjeve në këtë zonë.
“Është një kryevepër për ne. 20 vjet nuk është prekur me dorë. Ne banorët jemi shumë të kënaqur”, shprehen banorët e zonës.
Prej ditësh, në këtë segment po punohet në kanalin kryesor kullues të Bahçallëkut, si edhe në kanalet që lidhen me zonën e Bërdicës. Pas kolektorëve të qytetit, kjo ndërhyrje konsiderohet një nga punimet më të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të kullimit të ujërave të shiut në hyrje të qytetit të Shkodrës.
Komente







