SHKODER - Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë që i shpallte fajtorë për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndeve narkotike 53 fermerët e shoqatës së fermerëve të Shkrelit, mes të cilëve, pleq gra dhe të rinj.

Shkalla e dytë e gjyqësorit e argumentoi pushimin e çështjes me faktin se organi i akuzës nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme që vërtetonin fajësinë e fermerëve.

Një ndër përfaqësuesit e shoqatës së fermerëve të Shkrelit, Alfred Pëllumbi e quajti një fitore të rëndësishme të drejtësisë.

Apeli per Pëllumbin ishte një dritare shprese për dhënien e drejtësisë ndryshe nga pjesa tjetër e gjyqtarëve dhe prokurorëve që sipas tij “janë të zhytur në korrupsion.”

“Dhe më në fund është një ogur pozitiv ku shprehim respekt maksimal për trupin gjykues të Apelit. Nuk është vetëm për fermerët një ditë pozitive, por për gjithë drejtësinë shqiptare pasi çështja e kërpit është çështje mbarëkombëtare dhe u provu, që në Shqipëri edhe pse pak, ka edhe gjyqtarë pozitiv, korrekt, që japin drejtësi”, u shpreh Alfred Pëllumbi, koordinator i Shoqatës së Fermerëve.

Kërp industrial apo kanbis sativa? Ishin këto dy pretendimet e ngritura mes palëve, të cilave iu dha fund sot pasi Prokuroria nuk paraqiti prova të mjaftueshme për të treguar se lënda e kultivuar është kanabis sativa.

Ndërkohë, vetëm dje Gjykata e Shkallës së Parë shpalli fajtorë për veprën penale të prodhimit, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike 43 fermerë të tjerë, pjesë e të cilëve ishin edhe disa fermerë të cilët morën sot pafajësinë nga Apeli. Duke i dënuar këta fermerë me nga 3, 5, 7 dhe 9 vjet burg çështja e kërpit industrial apo kanabisit rikthehet sërish në vëmendje me dy vendime të ndryshme të drejtësisë brenda 24 orëve.

Gjyqet për fermerët e Shkrelit kanë nisur që në vitin 2001 dhe në 11 vjet seanca gjyqësore, përfundimet kanë qenë të ndryshme duke nxjerrë fitues herë fermerët dhe herë Ministrinë e Brendshme.

(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)