SHKODER - Mitropoliti i Kishës Orthodokse serbe në Mal të Zi, Amfillohije Radoviç, i njohur si kundërshtari i madh i pavarësisë së Kosovës dhe Malit të Zi ka vizituar objektet e kultit dhe varrezat e ushtarëve serbë të rënë gjatë luftërave ballkanike dhe pushtimit malazez të Shkodrës.

Radoviç vizitoi kishat e Vrakës, ku edhe mbajti një meshë të shenjtë. Vizita e Amfillohije vazhdoi në Bardhaj dhe pranë ujëmbledhësit të Shtodrit, ku sipas tij ndodhen të groposur trupat e rreth 10.000 ushtarëve serbë të rënë gjatë viteve 1912-1914.

Pas riteve të bekimit të varreve dhe lutjeve Amfillohije u shpreh se ushtarët serb janë çlirimtarë dhe jo pushtues.

Mitropoliti Amfillohije, njihet në Mal të Zi si kundërshtar i flaktë i pavarësisë së Kosovës dhe çështjes shqiptare.

Prej vitesh emri i Mitropolitit është i lidhur edhe me përpjekjet për përvetësimin e objekteve fetare katolike në territoret e Malit te Zi, të cilat sot janë të banuara nga shqiptarë të besimit mysliman ose janë vendbanime të braktisura, për t’i kolonizuar me banorë sllavë.

(eç/shqiptarja.com)