SHKODËR, 12 Dhjetor/ATSH-Gaspër Marku/. - Mejdan Zhivani, gazetar sportiv, eshte ndare nga jeta pas nje semundje e rende ne moshen 38-vjeçare. Ai ishte një nga emrat e njohur, sidomos të dhjetëvjeçarit të fundit, ku krahas qytetit të Shkodrës ku pati fillimet dhe angazhimin kryesor në mediat lokale, si Radio Shkodra, televizionet "TV1 Channel" dhe TV Rozafa", gazeta "Vllaznimi Sportiv" etj, u angazhua më pas në shtypin qëndror, ku punoi vitet e fundit, si në gazeten "Sporti Shqiptar" dhe së fundmi në Radio-Televizionin Shqiptar.
Krahas nderimeve të shumta ne banesen së familjes Zhivani, përshëndetja e fundit me të ishte ajo e pasdites të së enjtes me homazhet e kryera në hollin e stadiumit "Loro Boriçi" të Shkodrës, një tjetër vlerësim që merr Zhivani nga strukturat e qeverisjes vendore si shpërblim i saj pune të devotshme që ai ka bërë për këtë qytet.
Në emër të gjithë kolegëve të tij, gazetari sportiv, Dëfrim Methasani, vleresoi aktivitetin e Zhivanit ne fushen e gazetarise sportive per shume vite.
Me këtë rast, kolektivi i ATSH-se, duke shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta në një moshë të re të kolegut Mejdan Zhivani, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Zhivani për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe të shtrenjtë. /a.ke/









