SHKODER- “Gjakmarrja, sfidë e përbashkët” ka qenë tema e një konference që ka mbledhur përfaqësues të institucioneve të ndryshme në vend për të luftuar një prej plagëve më të rënda të shoqërisë shqiptare, që sot e kësaj dite në emër të saj po merren ende jetë njerëzish.

Kjo konferencë është organizuar sot në Shkodër, ku të pranishëm ishin Avokati i Popullit, Igli Totozani, zv.ministri i Brendshëm, Nard Ndoka, të cilat kanë theksuar se po merren masa për të bërë çmos për të luftuar fenomenin e gjakmarrjes.

Po ashtu, në konferencë foli edhe drejtuesi i “Alternativës Civile”, Mentor Kikia, i cili ka kërkuar që për të vënë në zbatim këto masa dhe që të luftohet ky fenomen duhet të sensibilizohet e gjithë shoqëria.

Edhe ish -presidenti i Republikës, Alfred Moisiu i pranishëm në konferencën “Gjakmarrja, sfidë e përbashkët” ka kërkuar më shumë punë nga uniformat blu në parandalimin e këtij fenomeni.

Në emër të Kanunit dhe gjakmarrjes numri i viktimave vazhdon të mbetet në shifra alarmante, sidomos në zonën e Malësisë së Madhe, Shkodër, Koplik etj.

(Shqiptarja.com)